Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Revolta e djeshme e qindra policëve shkodran ndaj Gjykatës së Shkodrës ka gjetur sot përkrahjen e qeverisë shqiptare. Lirimi i kriminelëve dhe bandave të njohura nga gjykatat shqiptare shprehet kabineti Majko në deklaratën e tij nën preteksin e mungesës së provave dhe të dëshmimtarëve, nën përgjegjësinë direkte të prokurorisë është sfidë e rëndë karshi përpjekjeve të policisë shqiptare për të goditur krimin dhe për të vendosur rendin.

Pasi shpreh shqetësimin për këtë situatë në sistemin e drejtësisë, qeveria këshillon njerëzit e ligjit të mos bien pre e presioneve që vijnë nga bota e krimit dhe drejtimeve të tjera. Qeveria ka ngritur sot edhe komisionin kombëtar ndërministror për problemet e rendit dhe ministrisë publike dhe ka miratuar dokumentin që do të paraqitet në Samitin e Sarajevës për Paktin e Stabilitetit.

Sipas kryeministrit Majko në këtë dokument pasqyrohen pikpamjet e qeverisë shqiptare për tre problemet themelore të paktit, demokracia, liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimi dhe rindërtimi ekonomik, siguria dhe rendi./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame