Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për dështimin e marrëveshjes me FMN, Ministri i Financave Kastriot Islami i ka vënë fajin deputetëve të qeverisë, që duan rikompozimin e qeverisë dhe atyre të opozitës, që sipas tij përfitojnë nga korrupsioni. Në një deklaratë krejtësisht politike dhe të pa argumentuar, Islami pranoi faktin se qeveria shqiptare e dinte më parë se mediat, lajmin sipas tij të thjeshtë të shtyrjes për disa javë të mbledhjes së bordit të drejtorëve ekzekutiv të FMN-së.

Përpara syve Islamit i është shfaqur një aleancë politiko-korruptive, me përbërje multikolore, lidhur ngushtë me origjinën e licencimit të dyqaneve pa taksa në pikat kufitare, për mbylljen e të cilave ministri i financave nuk arriti të merrte votat e duhura në parlament. Islami i siguroi gazetarët, se pavarësisht nga votimi i ardhshëm i deputetëve, qeveria do të gjej mekanizma të tjera, për të mbyllur këto dyqane.

Kastriot Islami:- “Ministria e Financave, në emër të qeverisë shqiptare është e angazhuar, jo vetëm për të gjetur të gjitha mekanizmat, që do të mbyllin aktivitetin e këtyre dyqaneve, pavarësisht vendimmarrjes së Kuvendit, por edhe për t’i bërë të qartë publikut, eventualisht, në momentin e përshtatshëm, në trajtë eksplicite, të gjithë ata që kërkojnë marrëveshjet me partnerët tanë ndërkombëtar, të cilët po asistojnë intensivisht në vendin tonë, në luftë kundër kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky manipulim dhe tentativë për të acaruar marrëdhëniet e shtetit shqiptar dhe FMN-së, synohet ose nga ata, që në piramidat financiare fundosën edhe të gjitha marrëdhëniet e marrëveshjet me partnerët ndërkombëtar, ose nga disa që tinëz fërkojnë duart, duke pritur dhe nxitur ndryshime në financat publike dhe për rrjedhojë rikompozimin e qeverisë”.

As një fjalë nuk ka thënë Ministri i Financave Islami, për kritikat e FMN-së ndaj emërimeve të fundit nëpër dogana dhe rezultatet e ulëta të të ardhurave të realizuara gjatë vitit të kaluar. Edhe në mbledhjen e fundit të komitetit të partisë së tij, kundër largimeve masive në dogana dhe tatime, u ngritën mjaft drejtues socialistë.

Përfaqësuesi i FMN Olters, ka kërkuar nga qeveria e opozita, bashkëpunim në luftën ndaj korrupsionit./tvklan.al

Gazetare – Vladimir Lame