Lajme Arkiva – TV Kaln 2004

Ministri i Punëve të Jashtme Kastriot Islami, zhvilloi analizën e punës 6-mujore të punës së tij, ku përveç arritjeve që kjo ministri ka realizuar, shefi i diplomacisë përmendi edhe sfidat për muajt e ardhshëm në raport me ndërkombëtarët. Islami komentoi dhe seancën dëgjimore për Shqipërinë nga Komisioni Amerikan i Helsinkit, që u zhvillua më datën 20 Korrik.

Kastriot Islami: “Ne e vlerësojmë zhvillimin e një seance dëgjimi për Shqipërinë nga Komisioni Amerikan i Helsinkit në 20 Korrik, si shprehje e interesimit dhe vëmendjes pozitive, për arritjet e vendit tonë dhe asistencës që i japin SHBA, për përballimin e sfidave në kuadrin e proceseve integruese. Në fjalët e kryetarit të këtij komisioni, kongresmenit amerikan Christopher Smith, shprehet qartazi, se qëllimi i kësaj seance dëgjimi ishte inkurajimi i Shqipërisë për suksesin e tranzicionit demokratik dhe mëkëmbjen ekonomike”.

Në këtë seancë, ministri i jashtëm evidentoi si pozitive, marrëdhëniet dypalëshe politiko-diplomatike, si për krijimin e kushteve për të tërhequr biznese e financime, e në veçanti në kontributin shumplanësh në luftën kundër terrorizmit. Kontribute të tilla sipas Islamit kanë bërë që të përmirësohet imazhi i Shqipërisë, ndërkohë që e kundërta nuk përbën alternativë për shqiptarët dhe nuk do të gjente mbështetje nga ndërkombëtarët, por qeveria sipas Islamit është optimiste për ato që ka për të përballuar.

Kastriot Islami: “mesazhi ynë është se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në realizimin e reformave. Ne jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që kemi përpara, ashtu siç vëmë në dukje progresin që është realizuar dukenkonfirmuar vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë”./tvklan.al