Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sekreti për çmimin e aksioneve të INSIG bëhet për efekt të negociatave. Kështu ka deklaruar Ministri i Financave Kastriot Islami në një konferencë për shtyp.

Kastriot Islami:- “Çmimi në qoftë se do të ishte bërë publik, atëherë ky çmim publik i cili ka kufij minimal dhe maksimal do t’i detyronte IFC dhe BERZH, të bënin propozimet për çmimin minimal”.

Islami ka shpjeguar se negociatat me IFC dhe BERZH për transferimin e 40% të aksioneve do të përfundojë në Shtator. Tashmë është përzgjedhur kompania audituese, këshilltari i privatizimit, si dhe është ngritur grupi teknik i negociatave. Pavarësisht nga kriza botërore, pas luftës në Irak, Islami shprehet optimist për realizimin e privatizimit të strategjikëve, në afate.

Kastriot Islami:- “Nga një vlerësim i deritanishëm, vihet re që ka një interes qoftë për INSIG-un, qoftë për Bankën e Kursimeve, pra konsiderohet një mjedis dhe një moment jo i keq për të tërhequr investitorët strategjik”.

Kompania e vetme shtetërore e sigurimeve INSIG i është nënshtruar strukturimit, përmes një statusi të ri, që rrit komercialitetin e kompanisë. Kompania pritet gjithashtu të reformohet, duke e shkurtuar një pjesë të konsiderueshme të personelit. Aktualisht INSIG vepron në një treg me katër konkurrent të tjerë privat, që po e rrëmbejnë tregun nga viti në vit.

Kompania shtetërore e sigurimeve INSIG ka humbur çdo vit 10-20% të tregut. Aktualisht INSIG zë afro 37% të tregut të përgjithshëm të sigurimeve./tvklan.al