Të gjithëve na thërrasin rrënjët dhe e tillë është edhe historia e Silvana Begajt, e cila para 10 vitesh mori vendimin të largohej nga Shqipëria. Ajo kthehet herë pas here në mëmëdhe, aty ku dhe nisi karrierën e saj si pedagoge. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Begaj ka treguar se si e mori vendimin për të shkuar drejt Suedisë.
Silvana Begaj, pedagoge, Suedi: Mua më merr gjithmonë malli për Shqipërinë. Ndihem më e lidhur me Shqipërinë se sa me Suedinë. Kam ikur në fund të 2014. Për disa muaj bëj 10 vjet këtu. Në Shqipëri jepja mësim në një universitet privat. Kam pasur disa pozicione të ndryshme. Unë kisha filluar që të punoja me dialogun e paqes, por bazën e kishte në Norvegji. Norvegjia kanë të njëjtin sistem. Zgjodha Suedinë si më të përafërt. Vitin e parë që erdha fillova punë në universitetin e qytetit ku jetoj dhe ku ngela në këtë qytet. Më pas, hapa një organizatë jo fitimprurëse për të drejtat e shqiptarëve në Suedinë, punoj për projekte të BE-së.
Për numrin e shqiptarëve në Suedi, Silvana thotë se nuk ka një shifër ekzakte, teksa tregon se bëhen shumë veta në Suedi bashkë për të festuar 28 Nëntorin.
Silvana Begaj: Ka një komunitet shqiptarësh këtu në Suedi dhe nuk ka një databazë për shkak të deklarimit, nuk ka një numër të saktë.
Blendi Fevziu: 28 Nëntorin a bëheni shumë veta?
Silvana Begaj: Bëhemi shumë veta.
Ndërtimi dhe kuzhina janë dy fushat kryesore, me të cilat merren shqiptarët në Suedi sipas Begajt.
Silvana Begaj: Ndërtimi dhe restorantet. Të rinjtë të cilët kanë ardhur pas 2014, kanë ardhur të shkolluar dhe shumë kanë arritur të punojnë në pozicione të tjera.
Edhe pse Begaj ka një karrierë të suksesshme në Suedi, ajo thotë se i mungon shumë Shqipëria, madje dhe kafja e shoqëruar me bisedat e gjata me njerëzit e zemrës në atdhe.
Silvana Begaj: Më mungon shumë Shqipëria. E para më mungon shtëpia ime, prindërit, ato bisedat që bëhen. Dua atë shtëpi që unë njoh, aty ku jam rritur dhe kam ëndërruar, dua ato bisedat e gjata të kafes, këtu kafja nuk më shijon kurrë. Këtu është shumë e vështirë të ndjesh atë kënaqësinë që kam ndjerë në Shqipëri.
Silvana e mendon shpeshherë kthimin në Shqipëri, por shton se nuk është e lehtë të ja nisësh sërish nga fillimi.
Silvana Begaj: E mendoj shpeshherë kthimin në Shqipëri, më ndal se çdo gjë e fillova nga fillimi dhe kjo nuk është e lehtë dhe përsëri më duhet të fillosh nga fillimi.
Begaj shprehet se tanimë është më e vështirë për një emigrant që të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm për t’u integruar në Suedi se sa ka qenë në vitet kur ajo ka emigruar.
Silvana Begaj: Unë kam bërë një jetë të mirë në Tiranë. Nuk e bëra nga nevoja. Mund ta them me bindje se ndonjëherë shpeshherë është edhe punë fati, por është edhe nga këmbëngulja e njeriut. Tani është bërë akoma më e vështirë për emigrantët të futen në sistem, pra të kenë dokumentacionin.
/tvklan.al