Vezir Nure tregoi se kompania Albpetrol i ka ndotur tokën bujqësore me shpërthimet e naftës, por nuk e shpronëson.
“Problemi im është se në mes të tokës sonë, që kemi marrë me ligjin 7501, kalon tubacioni kryesor i naftës, i cili është montuar që në kohën e Enverit. Deri më sot nuk është ndërruar, kanë riparuar vetëm rreth 150 metra. Është i cilësisë së dobët sepse sa ikën saldatorët, u ndez pompa, ky përsëri u hap. Vetëm në pjesën time janë 36 hapje. Këtu nuk bëhet fjalë të vish fare, sepse je i rrezikuar nga ora në orë për të zënë gazin”,
u shpreh denoncuesi.
Ai ka 2 dylym e 750 metra tokë, të cilën e ka mbjellë me produkte të ndryshme që në vitin 1994, por nuk mund ta përdorë dot të gjithën për shkak të naftës. Ajo çka marrë si dëmshpërblim për këtë dëm janë vetëm 3 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që ekspertiza private e ka vlerësuar dëmin në vlerën e 16 milionë lekëve.
I pyetur nga emisioni “Stop”, ambientalisti Sazan Guri tha se dëmi është i pariparueshëm, pasi në këtë tokë ka naftë me pak dhe dhe jo tokë me pak naftë. “
Kjo naftë sjell vdekjen e menjëhershme të njerëzve që ka pranë”,
theksoi ai.
Në përgjigjen zyrtare, Albpetrol e vlerëson ndotjen e tokës bujqësore të hershme, por ka nisur procesin e dëmshpërblimit të fermerëve sa herë ka patur ndotje nga çarjet ose dëmtimet e tubacionit.
Kjo kompani ka vlerësuar dëmtimin që i ka shkaktuar Vezir Nurës deri më sot me vlerën totale të 483,215 Lekëve. Gjithashtu në përgjigjen zyrtare thuhet se është marrë vendim që tubacioni magjistral do të zëvendësohet plotësisht me një tubacion të ri.
“Në këtë moment jemi në fazën e vlerësimit në terren për caktimin e gjurmës së këtij tubacioni magjistral dhe shumë shpejt do të të fillojmë nga puna për ndërtimin e tij dhe nxjrrjen nga skema të tubacionit magjistral ekzistues, i cili nga koha e gjatë e shfrytëzimit dhe nga prania e agjentëve kimik dge atmosferik ka pësuar amortizim të plotë”.
Tanimë fermerëve të zonës u ngelet të presin se kur do të zëvendësohet tubacioni i naftës, i cili po shkatërron prodhimin në tokat e tyre bujqësore.
/tvklan.al