Përgjegjësia mbi të rinjtë për ndeshjet e radhës
Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Kazakistan, aty ku pasditen e së dielës, në orën 15:00 me orën e Tiranës, do të luajë ndeshjen e tretë në grup për Ligën e Kombeve.
Një distancë rreth 4718 kilometra e përshkuar për rreth 6 orë ka lodhur jo pak kuqezinjtë, ndaj ndryshe nga herët e tjera, skuadra u nis dy ditë para. Skuadra është e qetë edhe për faktin se pak para nisjes lojtarët dhe stafi morën përgjigjet e tamponëve dhe për fat të mirë nuk ka rezultuar asnjë pjesëtar i prekur nga Covid-19.
Ndaj Kazakistanit si rrallëherë, Kombëtarja do të ketë shumë mungesa, duke nisur nga porta, deri në sulm. Sikur të mos mjaftonin mungesat e shumë titullarëve, përfshi kapitenin Hysaj, pas stërvitjes së fundit në Durrës, stafi lajmëroi se për arsye dëmtimi nuk janë të gatshëm Strakosha, Uzuni dhe Mersinaj, me këtë të fundit që shpresonte debutimin.
Lajmi i mirë ishte ardhja e portierit Etrit Berisha dhe e sulmuesit Xhakomo Vrioni. Kombëtarja, me lojtarët që janë të pranishëm, ka një moshë mesatare 24 vjeç. Nëse bëhet një ndarje mes reparteve, shihet që porta mban aktualisht më “të vjetrit”, nga prania e Alban Hoxhës dhe Etrit Berishës, ndërkohë që reparti më i ri është ai i sulmit.
Përgjegjësia do të bjerë kështu mbi të rinjtë që do të tentojnë të bëjnë më të mirën e mundshme pasi kjo është edhe një mundësi për ta për të treguar vlerat në ndeshje zyrtare.
Tv Klan