Shqipëria është bërë pjesë e deklaratave në një mbledhje të zhvilluar këtë të mërkurë nga Komiteti i sapoformuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan për Mbikëqyrjen dhe Reformat  në Qeverisje, i ngritur me inicitativën e Elon Musk.

Në seancën e titulluar “Amerika e fundit: Si ndihma e huaj minoi interesat e SHBA në mbarë botën” u vu theksi tek fondet që USAID ka dhënë për shoqatat e komanduara nga George Soros me qëllim propagandën dhe luftën politike.

I thirrur të dëshmonte, gazetari investigativ Tyler O’Neil tha se në Shqipëri paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për të bërë ndryshime në Gjyqësor, të cilat rezultuan me goditjen liderit te opozitës, Sali Berisha.

Tyler O’Neil – gazetar, “The Daily Dignal”: Fondacionet për Shoqërinë e Hapur dhe USAID kanë bashkëpunuar gjithashtu në mbështetjen e “East West Management Institute”. Ndër të tjera, instituti nxiti ndryshime gjyqësore në Shqipëri që kritikët pretendojnë se rezultuan në përndjekjen e liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, duke i mbyllur gojën kundërshtarit të Kryeministrit socialist të vendit.

Deklaratat e tij u mbështetën edhe nga kongresistja e njohur amerikane, republikania Marjorie Taylor Greene që bashkëdrejton këtë komision.

Marjorie Taylor Greene – Kongresmene Amerikane: Vitin e shkuar shpenzuam thuajse 2 trilion Dollarë më shumë nga sa morëm. Pyetjet e vërteta, përgjigjet e të cilave duhet t’i dinë qytetarët amerikanë, janë këto: Pse USAID është përfshirë në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri që rezultuan në përndjekjen e liderit të opozitës shqiptare? Ajo që kemi mësuar këtu është se USAID është përdorur si mjet nga demokratët për të bërë lavazh truri në mbarë botën me propagandë globaliste, për të imponuar ndryshime regjimesh në mbarë botën.

Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump firmosi një urdhër për pezullimin e ndihmës së huaj nëpërmjet USAID në mbarë botën duke argumentuar se paratë e taksapaguesve po shpërdoroheshin, ose mbështesin axhendën politike të George Soros.

Tv Klan