120 ditë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka zyrtarisht edhe kushtetutën e vetë. Dokumenti themeltar i shtetit përmban 14 kapitur dhe 162 nene. Pas 15 qershorit, Prishtina zyrtare do të mund të administrojë Kosovën me të gjithë bazën e mundshme ligjore.
Kushtetuta e bazuar në propozimet e Martti Ahtisaarit e përshkruan Kosovën një republikë parlamentare, një shtet të pavarur, unik dhe të pandashëm. Në dokument thuhet se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet tjetër.
Presidenti Sejdiu, i cili nënshkroi edhe 41 ligjet që lidhen me shtetësinë e Kosovës e vlerësoi fuqizimin e Kushtetutës si një moment historik.
Fatmir Sejdiu: “Mendoj që është një moment historik për Kosovën edhe koha e miratimit të kushtetutës qe veprimi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrja e saj në fuqi sot që shënon njëkohësisht edhe për mbylljen e ciklit shtet-formues të Kosovës. Në këtë kuadër edhe nënshkrimi i ligjeve është pjesë e përmbushjes së zotimit të institucioneve të Kosovës, për kahet dhe zhvillimet që ato do të punojnë dhe është po ashtu një mesazh i rëndësishëm edhe për mbarësinë ndërkombëtare dhe për BE, se Kosova është një vend demokratik dhe ne dëshirojmë që këtë pjesë të hezitimeve për integrim të një pjese të qytetarëve të serb, të jenë pjesë e angazhimit tonë të thellë në të ardhmen me projekte zhvillimore me inkurajimin e tyre, se Kosova është atdhe i të gjithëve”.
Pas së dielës Qeveria e Kosovës do të marrë shumë kompetencat që mbaheshin deri tani nga misioni i OKB-së, UNMIK. Megjithatë roli i këtij të fundit mbetet i paqartë sidomos pas dislokimit të misionit të Bashkimit Europian EULEX, që kundërshtohet me forcë nga Beogradi dhe Moska. Paqartësi ka ende dhe mbi misionin që do të kontrollojë dhe pjesët e Kosovës me shumicë serbe./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle