Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Këshilli i përgjithshëm i OMONIA-s i mbledhur para pak ditësh nuk është marrë me çështjen nëse PBDNJ duhet të qëndrojë apo të largohet nga koalicioni qeverisë, por ky koalicion nuk ka funksionuar dhe nuk ka bërë asnjë hap për integrimin e Shqipërisë. Këtë koment bënë kreu i organizatës OMONIA, Jani Jani.
Jani Jani: “Ky koalicion nuk ka funksionuar ashtu si duhet dhe themi, që ky koalicion në përgjithësi nuk ka bërë shumë gjëra për avancimin e Shqipërisë, dmth. nuk ka hedhur ato hapa që duheshin për avancimin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe rrjedhimisht mendojmë që PBDNJ duhet të rishikojë qëndrimin e saj në një koalicion, në një qeverisje tjetër.”
Kryetari i organizatës OMONIA ka rezerva edhe përsa i përket respektimit të të drejtave, sidomos arsimimit të fëmijëve minoritar.
Jani Jani: “Janë bërë hapa mbrapa edhe përsa i përket arsimimit në minoritetin etnik grek. Pse themi hapa mbrapa? Megjithëse numri i nxënësve është stabilizuar edhe bile për këtë vit shkollor, kemi një rritje të vogël të numrit të nxënësve, shkollat pothuaj dhe ky është një problem që kemi ngritur në raste të tjera, janë kthyer në celula partie, dmth. emërimi i kuadrit me kritere devotshmërie partiake dhe jo sipas nivelit shkencor pedagogjik. Investimet në shkollat tona janë në nivelin zero, cilësia e teksteve në gjuhën greke shumë e dobët deri e papranueshme.”/tvklan.al