Një nga problemet më të ndjeshme të muajve të fundit në Shqipëri që diskutohet në të gjitha nivelet e shoqërisë është ai që ka lidhje me intensifikimin e krimit dhe luftën kundër tij.
Për të diskutuar rreth kësaj teme të rëndësishme ishin të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan Luan Rama ministër i Rendit Publik, Fatos Beja deputet i PD, Mustafa Nano analist, Kreshnik Spahiu jurist dhe në lidhje direkte gazetarët Alfred Peza dhe Mendu Hysa.
“Opinioni publik shqiptar ka qenë shumë i vëmendshëm ndaj problemeve të krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Raporte të ndryshme nga ndërkombëtarët po ashtu e nxjerrin Shqipërinë ndër vend e para për fenomenet e trafiqeve dhe krimit të organizuar. Krimi në Shqipëri pa diskutim që është shtuar dhe të gjitha gazetat në ngjarjet e fundit shkruajnë se kanë qenë të përfshirë edhe persona me uniformë policie”, tha Beja.
“Nuk e përjashtoj faktin që brenda radhëve të policisë ka elemetë të implikuar në ngjarjet e ndodhura, por dyshoj të jenë aq naivë sa thotë Beja që të dalin me uniformat dhe armët e tyre”, tha Rama.
“Autoritetet e institucioneve është shumë i madh për të luftuar krimin. Ajo që mund të them është që krimi ecën me ritme më të shpejta në këtë vend krahasuar me institucionet. Të gjithë e dinë se kush janë personat që drejtojnë trafiqet, por të vetmit që heshtin janë institucionet. Kjo është edhe fatkeqësia që shteti ngrenë duart përballë krimit”, tha Spahiu./tvklan.al