Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Tregtarët e kryeqytetit janë të detyruar të paguajnë të gjitha taksat sipas ligjeve që janë në fuqi. Këtë përgjigje iu ka kthyer kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, tregtarëve të tregut ushqimor me shumicë, pranë Qytetit të Nxënësve në Tiranë, të cilët janë në grevë duke kërkuar uljen e disa taksave dhe tarifave.

Sipas kryebashkiakut, bashkia iu është përgjigjur pozitivisht 6 prej kërkesave të tyre, ndërkohë që nuk sheh asnjë mundësi negocimi, për uljen e taksës të biznesit të vogël, e cila është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe për zvogëlimin e tarifës së vendit, e cila edhe kjo është ulur nëpërmjet një vendimi të këshillit bashkiak. Protestën e tregtarëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës e cilësoi si ndërhyrje të opozitës.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Si maçoku dhe dhelpra tek ajo përralla, maçoku i bie të jetë Vili, dhelpra i takon Njaziut, shkuan të nxisin tregtarët e njërit prej tregjeve të bashkisë, të ngrihen në protestë, për të gjitha arsyet e mos arsyes opozitare. Bëhet fjalë për dy pretendime absolutisht të paqëndrueshme, të cilat nuk ka asnjë mundësi të negociohen, sepse janë detyrime të sanksionuara me ligj. Janë detyrime të sanksionuara nga vullneti i zgjedhësve dhe i qytetarëve të Tiranës”.

Tregu ushqimor me shumicë prej dy ditësh është mbyllur, pasi tregtarët kanë kërkuar ndryshimin e taksës së biznesit të vogël, një detyrim vjetor prej 60 mijë lekësh. Sipas bashkisë, ky detyrim mblidhet nga degët e tatimeve dhe jo nga drejtoria e taksave dhe tarifave vendore./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja