Monika Kryemadhi ka qenë në të njëjtën sallë me ish-bashkëshortin Ilir Meta. Për të ky është një provokim dhe show nga Gjykata e Posaçme.

“Në mënyrë të qëllimtë na kanë futur me një sallë për të marrë masa arresti në grup, kur secili nga ne ka masën për ta marrë në mënyrë individuale. Kërkojnë të bëjnë show mediatik, politik, mbase edhe emocional. Emocionet e tyre nuk i kënaqim dot.”

Pas shtyrjes së seancës, Kryemadhi akuzoi 3 prokurorët se janë nën ndikimin e Ramës, ndërsa theksoi se një grup banditësh me kallashnikov rrëmbyen Ilir Metën.

“Kjo godinë nuk është drejtësia e re, është departamenti i marrëdhënieve të publikut dhe propagandës të Edi Ramës.”

Kryemadhi përsëriti qëndrimin se ka qenë ajo që ka bërë pagesat dhe jo Ilir Meta.

“Nuk është marrë Ilir Meta me asgjë. Edha ato dy fatura ia kam paguar unë. Edhe ato dy fatura janë të ndara në zëra dhe nuk ka punë fare. Deklarimin e pasurisë e kam bërë gjithmonë unë, jo ai. Ilir Meta nuk e di sa kushton një shishe ujë se pi ujë çezme.”

Kryemadhi u pyet nga gazetarët edhe për shpenzimet jashtë shtetit, siç rezulton në dosjen e SPAK.

“Edhe këtë xhaketën Michael Kors e kam, me Lekët e mia e kam blerë, mos e kam blerë gjë me Lekët e Ramës, tuat apo të SPAK. Unë i kam deklaruar të gjitha, s’kam frikë për të deklaruar paratë e prindërve që i kanë të deklaruara dhe të fituara. Nuk kam bileta avioni mbi 200 mijë Euro që të padeklaruara.”

Pas rreth 5 orësh seancë, gjykata la të njëjtën masë për Kryemadhin, “detyrim paraqitje”. Ajo i doli sërish në mbrojtje ish-bashkëshortit, madje fajësoi avokatin e tij Gjokutaj.

Gjykata ndryshoi masën vetëm për Pirro Xhixhon, i cili nga “arrest në shtëpi”, do të hetohet në “detyrim paraqitje”. E njëjta masë i është kominikuar dhe Ema Çokut.

Klan News