Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri shqiptar Fatos Nano inauguroi stacionin e depozitave të karburantit në Porto Romano të Durrësit, si dhe inspektoi punimet për magazinën e gazit të lëngshëm. Në 30 mijë metra katror, investimi i dy kompanive private është 19 milion dollarë. Me përfundimin e punimeve në Qershor të vitit 2004 dhe ndërtimin e platformës së shkarkimit të anijeve, jo më në portin e Durrësit, por në Porto Romano me anë të pontileve, do të realizohet sipas studimit, një ulje 25% e çmimit të gazit.

Konsumi kombëtar deri më sot ka një volum prej 40 mijë tonësh. Nga Porto Romano do të realizohet depozitimi dhe shpërndarja e karburantit për tregun e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Teoria “Dy qytete një metropol” e kryeministrit Fatos Nano nis të zbatohet. Pas magazinës së karburanteve nis frymëmarrja në portin e Durrësit. Kjo ide pasohet me krijimin e trenit elektrik Tiranë-Durrës-Rinas dhe dhënien me koncesion të aeroportit shqiptar. Në Durrës kryeministri Fatos Nano bisedoi për problemet e biznesit me 350 sipërmarrës të dy qyteteve kryesore.

Kryeministri Fatos Nano:- “Në më shumë se 10 vjet, i kemi provuar të gjitha hilet ndaj njëri-tjetrit, nevojën për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme midis administratës publike, sipërmarrjes dhe institucioneve financiare, një marrëdhënie të qëndrueshme midis sipërmarrjes dhe ligjit”.

Ministri i Financave Kastriot Islami dhe drejtoresha e përgjithshme e doganave Kongoli, iu përgjigjën pyetjeve të biznesmenëve, ndërsa nuk munguan lulet pa dashur por me plot qëllim të mirë të biznesmenëve, ndaj kreut të tatimeve Shpëtim Idrizi, përpara se ai t’ju përgjigjej kërkesave të shumta./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj