Përfundon këndi i gjashtë i lodrave për fëmijët e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, në përmbushje të premtimit për të ndërtuar kënde lodrash në çdo lagje të qytetit, ka mundur të realizojë këndin e ri të lodrave që do t’i shërbejë një prej lagjeve më të mëdha të Tiranës, asaj të “Komunës së Parisit”.

Kjo hapësirë e re, përveç këndit të lodrave është konceptuar si një ambient rekreativ, ku jo vetëm mund të luajnë fëmijët, por edhe të çlodhen të moshuarit dhe komuniteti përreth.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi këtë ambient të ri për fëmijët dhe vlerësoi punën e bërë me mbështetjen edhe të donatorëve. Ai u shpreh i lumtur për hapjen e këndit të gjashtë të lodrave brenda një kohe të shkurtër dhe se ky kënd është po aq i bukur sa ai te Liqeni Artificial.

Veliaj tha se deri në fund të vitit, të gjitha lagjet e Tiranës do të kenë këndit e tyre të lodrave. Në bashkëbisedimin e tij me fëmijët, kryebashkiaku u kërkoi atyre dhe prindërve që ta mirëmbajnë dhe të mos e dëmtojnë.

Sheshi rekreativ te Komuna e Parisit u krijua pas rikonceptimit të të gjithë hapësirës së lulishtes së mëparshme, e cila ishte degraduar plotësisht.

Në gjithë sheshin janë shtruar rreth 300m2 trotuare të reja të pajisuara me rampa, me sinjalistikë të re, gjithashtu janë shtuar rreth 40m2 gjelbërim, i shtrirë jo vetëm brenda lulishtes, por edhe në ambientin rrethues të saj. 9 nga pemët e reja janë marrë nga sheshi “Skënderbej”, pas punimeve që po kryehen në këtë shesh, i cili falë projektit të bashkisë do të kthehet në pedonale në shërbim të qytetarëve.

Në ambientin e rikonceptuar tërësisht janë vendosur lodra të ndryshme për fëmijët e të gjitha grupmoshave, por edhe 17 stola që do të shërbejnë si mjedise çlodhëse për prindërit apo gjyshërit dhe gjyshet e më të vegjëlve./tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”60″ ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser”]