Kryedemokrati Sali Berisha u ka kërkuar ‘llogari’ mazhoritarëve për mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi në Parlament. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se Agaçi është arratisur, ndërkohë që laptopi i tij është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme. Sipas kreut të PD-së, ai laptop do zbulojë të gjitha vjedhjet kriminale të forcës në pushtet.
“Ku është Agaçio, ku e keni? A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur ai ia mbath dhe mashtroni dhe thoni se është në spital. Është përhap thashethemi se është në intubim. Ku e keni? Ku është?! E dyta, laptopi i tij është në Prokurori, ta dini mirë. Jeni të pashpresë! Thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi të gjitha vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës me grupin e tij. Problemi më i madh i tij është dosja “McGonigal”.
Më pas hodhi akuza në drejtim të Damian Gjiknurit.
“Damian unë e di që ti ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë “urdhra të paligjshëm mos zbato”. Edhe mbrëmë të doli emri atje, një ministër e shoqëronte. A e kuptoni ju që keni në krye një njeri, i cili korruptoi McGonigal? Pse do mbani ju mëkatet e tmerrshme të Edi Ramës? Akt-akuzat e tmerrshme të laptopit?”, tha Berisha.
Nga vendi, Gjiknuri iu përgjigj kështu:
“Debate të vjetra gjithmonë. Sa her nxjerr një akuzë del diçka e lidhur me ty. Unë nuk kam problem fare, dëshmoj kudo, por e vërteta qëndron tjetër kund. Ti mbase je shqetësuar për negociatat jo të mira që ke bërë me mua nëpërmjet përfaqësuesit tënd, këtë nuk di ta them. Nuk ia vlen të përdorësh këtë tribunë për të sajuar akuza të tilla.”
/tvklan.al