Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e takimeve me prindër dhe mësues në kuadër të diskutimeve për kufizimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, sidomos në rrjetet TikTok dhe Snapchat.
Këtë të shtunë, kreu i qeverisë ishte në shkollën “Janaq Kilica” në Fier, ku tha se për rrjetet sociale, njerëzit janë thjesht mallra ku secili përdorues ka një kod identifikimi.
“Fëmijët janë shumë të prekur nga bota paralele mes klasës, shtëpisë, dhe ekranit të TikTokut dhe cilitdo rrjeti social.
Këto platforma kanë një instrument shumë djallëzor që marrin informacion nga çdonjëri prej nesh. Për njëri-tjetrin në këto platforma në jemi persona, ndërsa për platformat ne jemi mallra.
Secili prej nesh sa i përket platformës, ka kodin e vetë. Dhe kur platformës ky kod i vjen, platforma t’i sjell ato sapo ti hyn. Për këtë arsye ne të gjithëve në platformë na shfaqen gjëra të ndryshme sipas fushave të interesit. Imagjino te fëmijët. Një fëmijë hyn ose për kuriozitet ose rastësisht në ato pjesë të labirinthit ku ka diçka që nuk duhet ta shohë. Në atë moment, në kodin e tij platforma lexon që ky ka interes për këtë dhe platforma nuk bën dallime moshe. Ky është problemi.
Nuk ka gardhe, nuk ka identifikim, nuk thotë kush je, thjesht je një kod. Kodi ynë në platformë dhe i fëmijëve tanë nuk kanë dallim nga njëri-tjetri. Në atë lloj pjese labirinthi ku fëmija futet ka jo një gjë, por qindra mijëra gjëra që platforma fillon e t’i sjell. Është një gropë thithëse që i jep pafundësi informacioni. E ndaluara është më tërheqëse se sa e lejuara ku ti nuk je mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja. Këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale”.
Kryeministri thotë se rrjetet sociale janë hapësira biznesi dhe krijojnë varësi, sidomos për fëmijët. Këto platforma, sidomos TikTokun, Rama e sheh njësoj si shoqërimin e fëmijës me një shok rrugaç.
“Ndërkohë që me të gjithë ne, platformat bëjnë biznes. Janë biznes, nuk janë hapësira demokratike. Të gjithë futen aty. Edhe reklamat që vijnë të shfaqen kur ke interesa të caktuara për mallra të caktuara, dhe në të gjithë këtë jemi në kushtet e një kohe që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogërat.
Është gjëja më e frikshme kur t’i futesh në një restorant dhe shikon prindër dhe është një gjë e vogël, ka dhe nga ata të vegjlit në karroca, edhe ju vënë iPhonin përpara. E heq atë, fillon klithma. Kjo botë është faktikisht një forcë e re në jetën e familjes dhe të shkollës. Nuk është më mësuesi-nxënësi-prindi. Është dhe ky tjetri, një hije që e ke në xhep dhe të shoqëron gjatë gjithë kohës.
Në rastin e fëmijëve, ajo hija ju thotë të gjitha të kundërtat që i thotë mësuesi dhe prindi. Në ato rrjete nuk ekziston asgjë nga ato që përpiqet mësuesi t’i thotë. Aty ata marrin një frymëzim tjetër komplet. Prindërit kur fëmijës i blejnë një telefon, i kanë dhënë një rrugaç për shok. Kështu e shoh unë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al