Ingrid Pisha është 19 vjeçe. Ajo sapo ka përfunduar gjimnazin dhe pret të nisë universitetin në degën e Psikologjisë. Bëhet fjalë për vajzën me flokët e kuqe e cila u bë virale në rrjetet sociale pasi u pikas nga Brian Hoxha, djali që u bën foto e video njerëzve rastësorë në rrugë dhe i poston në faqen e tij të Instagram. Të dy ishin këtë të mërkurë të ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku treguan më shumë rreth historisë së tyre dhe rreth vetes.
Rudina Magjistari: Çfarë po bëje atë ditë aty te shkallët e Pallatit të Kulturës?
Ingrid Pisha: Në fakt kisha një intervistë pune, isha duke pritur, kisha dalë herët. Po dëgjoja muzikë dhe po shkruaja me një shoqe. Sapo kam mbaruar gjimnazin dhe do të hyj në universitet, jam studente Psikologjie.
Rudina Magjistari: Mesa di unë ke jetuar në Greqi…
Ingrid Pisha: Unë kam lindur në Greqi, kam jetuar rreth 5 vite në Athinë dhe kam mbi 10 vite këtu.
Rudina Magjistari: Je gjendur mirë në Shqipëri, të pëlqen Shqipëria?
Ingrid Pisha: Më pëlqen vendi, Shqipëria, shumë, thjeshtë do të doja që njerëzit të jenë pak më të hapur.
Rudina Magjistari: Ndeshesh me ketë? E ndjen, përballesh me diçka të tillë?
Ingrid Pisha: Po. Edhe brezi jonë, nuk mund ta quaj më të hapur të mundshëm. Do doja të ishin më të hapur me njëri-tjetrin, jo aq të shtirur do thoja, më pak paragjykues, njerëz më të thjeshtë në karakter, të jenë vetvetja.
Rudina Magjistari: Si të bëri të ndiheshe ai çast, i cili ishte sa artistik, sa i bukur, sa një xhest kujdesi, mirësie, të gjitha mund t’ia vëmë. Si të bëri të ndiheshe atë ditë, meqë ishe jo në ditën tënde më të mirë.
Ingrid Pisha: U ndjeva shumë mirënjohëse, mu duk si një dhuratë e vogël nga Zoti, vërtetë e ndjeva si një shenjë le të themi që gjërat do të shkojnë më mirë dhe në fakt gjërat shkuan më mirë./tvklan.al