Ditën e sotme, Arben Ahmetaj ka thyer heshtjen ku ka folur në një intervistë për televizionin “Syri”. Gazetarja Klodiana Lala, duke komentuar pikërisht këtë intervistë, tha se e shikon Arben Ahmetajn si të penduar të drejtësisë, pavarësisht se nuk ka një status zyrtar për këtë. Ajo tha, bazuar edhe nga informacionet në Prokurorinë e Posaçme, se SPAK e di që ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në Zvicër ku ka kërkuar azil politik.
“Në këndvështrimin tim, sot Arben Ahmetaj është i penduar i drejtësisë, jo me status zyrtar, por fakti që ka zgjedhur të flasë nga arratia do të thotë që ai ka dalë për të treguar shumë gjëra që edhe di, por edhe i paralajmëron. Në këtë kuptim e shikoj si personazhin kryesor që mund ta zbardhë përfundimisht aferën e inceneratorëve. Në informacionet që unë kam, SPAK ka informacion, pavarësisht se zoti Ahmetaj nuk e di nëse e ka deklaruar ose jo që ish-zv/kryeministri ndodhet në Zvicër. Është shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e urdhërarrestit firmosur nga Gjykata me kërkesë të SPAK për akuza që tashmë janë bërë publike. Ka kërkuar statusin e azilantit politik. Autoritetet shqiptare dhe SPAK-u nuk e di se çfarë ka rrëfyer Arben Ahmetaj për autoritetet zviceriane”, u shpreh ajo.
Sa i përket kësaj interviste, Lala tha se SPAK do ta sekuestrojë atë.
“Gjatë publicitetit unë kam pasur një kontakt me Prokurorinë e Posaçme, me grupin e hetimit të çështjes së Ahmetajt, të cilët më kanë konfirmuar faktin që kjo intervistë e zotit Ahmetaj do të sekuestrohet në kuptimin e ligjit. Për shumë detaje që zoti Ahmetaj aty ka thënë dhe mendoj që në një vend ku njeriu më i besuar i kryeministrit për vite me radhë flet edhe hedh akuza ndaj kryeministrit të vendit, ndaj kryetarit të bashkisë apo ndaj personazheve të tjera, sigurisht që ky është një aspekt i ri i hetimit që SPAK duhet ta bëjë”, u tha gazetarja.
Arben Ahmetaj ka përmendur një shumë 60 milionë Euro, e cila sipas tij duhet të ndiqet dhe të shihet për çfarë është shpenzuar. Sipas gazetares Klodiana Lala, SPAK ka arritur të gjurmojë dhjetëra miliona Euro të transferuara në disa banka jashtë vendit. Sipas saj janë shumë personazhe të përfshira dhe tha se në kuadër të hetimit për inceneratorët priten arrestime të reja. Gazetarja Klodiana Lala është e mendimit se intervista e Arben Ahmetajt do të krijojë përplasje shumë të forta brenda Partisë Socialiste.
“Në një nga takimet informale që zoti Dumani ka pasur nuk e di nëse e tha spontanisht apo qëllimisht, tha që çështja Ahmetaj do të ketë surpriza të jashtëzakonshme, pra zhvillime surprizuese. Në informacionet që disponoj nga SPAK, Prokuroria e Posaçme ka arritur të gjurmojë disa dhjetëra miliona Euro që janë transferuar në disa banka jashtë vendit. Nuk mund ta them dot vendin ku janë transferuar, por janë shumë personazhe të përfshira. Çka do të thotë që në një të ardhme të shpejtë priten arrestime të reja në kuadër të kësaj çështje. Cilët janë personazhet e përfshirë, Ahmetaj kishte mundësinë për të na e thënë, por informacionet që disponoj, nëse zoti Ahmetaj ka ngrënë ose jo dardha prapa shpinës së kryeministrit apo i ka mbledhur dardhat për llogari të kryeministrit këtë duhet të na e sqarojë prokuroria. Fakti që sot flet ish-zv/kryeministri, njeriu më i besuar i Edi Ramës, për vite me radhë, do të thotë që dëshmon shumë për gjendjen e korrupsionit në vendin tonë dhe kjo në këndvështrimin tim, po ia lejoj vetes për herë të parë në jetën time, mendoj që do të shkaktojë një furtunë dhe përplasje shumë të fortë brenda PS-së”, u shpreh gazetarja./tvklan.al