Përgatitje për protestë më 10 Tetor
Të zhgënjyer nga gjuha mohuese e Kryeministrit, klubet e Ligës Profesioniste të futbollit po planifikojnë protestën e radhës në mbështetje të kërkesave të tyre ekonomike.
Mendohet që brenda kësaj jave, skuadrat e Superligës të mblidhen sërish për të përcaktuar formën e protestës e cila duket të jetë sa më e madhe, me pjesëmarrje të gjerë dhe që të prodhojë shumë jehonë.
Deklaratat e kreut të qeverisë një ditë më parë i kanë surprizuar të gjithë klubet që prisnin një qasje tjetër, dashamirëse dhe me sinjale mirëkuptimi ndaj kërkesave të tyre.
Për këtë arësye, bindja e vazhdimit të bojkotit të kampionatit është bërë më e fortë edhe tek ata që kishin shprehur dyshime për vazhdimin ose jo të idesë së mos nisjes së sezonit të ri.
Më herët është hedhur idea e një manifestimi përpara selisë së Kryeministrisë por duhen përcaktuar detajet.
Në javën e 4 të bojkotit, Liga e Futbollit nëpërmjet presidentit të FSHF, Duka, la të kuptohej qartë se mund të tërhiqen nga 3 prej 4 pikave por kërkuan me ngulm miratimin e kërkesës së ligjit për sponsorizimin.
Por Kryeministri e konsideroi bojkotin si formë shantazhi dhe nuk pranoi të marrë në konsideratë kërkesat e futbollit.
“Duan të bojkotojnë lë të bojkotojne, gjuha e forcës dhe shantazhit më mua nuk shkon”, tha Kryeministri Rama një ditë më parë.
Futbolli është në udhëkryq apo në qorrsokak? Kjo pritet të kuptohet më qartë në protestën e radhës e cila është njoftuar më 10 Tetor.
Tv Klan