Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, 4 zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç.
Gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.
“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviçit.
Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës, shqiptarë dhe serbë, ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë.
Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë bëri të ditur se 5 policët ishin dërguar në Rashkë. Ai po ashtu tha se Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë.
Sipas Kurtit, këto veprime të autoriteteve serbe u bënë në shenjë hakmarrjeje, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim të përshkallëzimit të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon, e sidomos në Kosovë”, tha Kurti./REL