Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, revista kushtuar turizmit,“Lonely Planet”, nuk ngurron për të sugjeruar destinacione të reja për pushimet e ardhshme. Dhe në Europën që ka një mori destinacionesh, zgjedh të sugjerojë vetëm dy, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Të bazuar në përjetimet nga udhëtimet personale të gazetares shqiptare nga Kosova, Shkurta Januzi, në Shqipëri dhe autorit të dhjetëra botimeve turistike Rudolf Abraham, në Mal të Zi, këto dy destinacione vihen përballë njëri-tjerit, që lexuesi ta bëjë vetë zgjedhjen e vendit për pushimet e radhës.
Shqipëria me histori, bukuri natyrore dhe jetë nate, kështu nis përshkrimi i vendit tonë, që ka 6 vende pjesë të trashëgimisë botërore Unesco, dhe 11 parqe kombëtare.
Një vijë bregdetare nga veriu në jug, dhe dy dete që lagin Shqipërinë, Adriatiku dhe Joni, ku nuk mungojnë brigjet dhe gjiret bregdetare për të eksploruar.
Ajo sugjeron fshatrat interesantë, si Dhërmiu dhe Himara, me plazhet e veçanta duhen vizituar, po aq sa edhe rrënojat historike, Butrint, Apoloni.
Përveç ofertës së Jugut, edhe Tirana është një qytet ku duhet të ndaloni, për të shijuar muzetë, por edhe jetën e natës thuhet në artikull.
Historia, arti, arkitektura janë të kombinuara në këtë qytet. Ndërsa shkrimi nuk mbyllet me pyetjen a duhet të vizitoni Shqipërinë por a do të gjeni kohë për të përjetuar gjithçka që vendi ofron?
Tv Klan