Përplasjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Shkup janë transferuar edhe në planin religjioz. Shkak për këtë është insistimi i Qeverisë dhe kryeministrit Nikolla Gruevski për të ndërtuar me mjete buxhetore një kishë ortodokse në sheshin qendror të Shkupit. Shqiptarët të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të komunitetit mysliman në Maqedoni, kërkojnë që krahas kishës ortodokse, në sheshin qendror të Shkupit të rindërtohet edhe Burmali Xhamia e cila është rrënuar në vitin 1925.

Ramadan Ramadani: “Ajo ka qenë e llocuar në rrugën e dikurshme Sulltan Reshati në lagjen Gazi Mentesh e cila ka qenë një ndër lagjet më të mëdha shkupjane që kanë qenë në sheshin e sotëm Maqedonia. Xhamia Burmali ka qenë e ndërtuar nga memet bej karlilizate, fisniku nga rajoni Karli në Turqi. Ky legator ka lënë edhe emrin e vet në mbishkrimin para hyrjes së xhamisë prej nga shihet edhe viti i ndërtimit të saj”.

Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim është kundër ndërtimit të kishës me mjete buxhetore.  

Teuta Arifi: “Nuk konsideroj se është gjë e mirë të ndërtohen objekte fetare me para të qytetarëve, me para buxhetore aq më tepër në kohë krize. Nuk jam e sigurt sa ne kemi arritur të ndryshojmë këtë trend, po akt është se, mendoj se jo vetëm shqiptarët po edhe përfaqësuesit e tyre politik nuk do të mund të pajtoheshin me këto rrjedha”.

Më herët sektori civil shqiptarë në Maqedoni ka reaguar kundër ndërtimit të kishës pasi që ajo është paraparë të ndërtohet në vendin ku ka qenë shtëpia e Nënës Terezë. Për këtë arsye para disa muajve kundër ndërtimit të kësaj kishe janë shprehur edhe përfaqësuesit e ministrive të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës. Nga Shkupi për TV Klan , Isen Saliu./tvklan.al