Maqedonia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në trajnimin e administratës publike me qëllim të ngritjes së nivelit për pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare. Me marrëveshjen që në Shkup e nënshkruan Drejtori i Agjencisë për Nëpunës Shtetërorë të Maqedonisë, Aleksandër Geshtakovski dhe drejtoresha e zyrës për Administrim Publik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Blerta Selenica. Parashihet që Maqedonia t’ia përcjellë përvojat e veta Shqipërisë në pjesën e aplikimit për në BE.
Aleksandër Geshtakovski: “Me këtë dokument formal në legalizojmë mënyrën e bashkëpunimit të ardhshëm në të gjitha sferat për ndërtimin e shërbimit profesional dhe trajnim të nëpunësve shtetërorë”.
Blerta Selenica: “Jam shumë e kënaqur sot që më në fund e kemi dhe të formalizuar këtë bashkëpunim dhe kjo do çoj në intensifikimin më tutje të marrëdhënieve tona. Kryesisht në fushën e trajnimeve dhe në fushën e rekrutimit të nëpunësve civil”.
Dy drejtorët thanë se këmbimi i përvojave nga shërbimet shtetërore do të rrisë edhe bashkëpunimin për pjesëmarrjen në organizatat e caktuara ndërkombëtare, në të cilat do të aplikohet për tërheqjen e mjeteve financiare.
Nga Shkupi për TV klan, Isen Saliu./tvklan.al