Në 22 mars në Maqedoni do të ketë zgjedhje, një sfidë që duket të jetë jo e lehtë pasi për herë të parë institucioneve do t’u duhet të administrojnë njëherazi 2 procese, atë për kryetar shteti si dhe drejtuesit e rinj të pushtetit lokal. Sipas Nënkryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subi Jakupi, gjithçka po thuaj është gati përjashtuar problemet me listat zgjedhore, shifrat jo zyrtare flasin për të paktën 200.000 emra fiktiv në lista.
Subi Jakupi: “Unë mendoj se ky regjistër zgjedhor i plotëson standardet në tërësi. Mirëpo nuk mund të themi se nuk ka mangësira. Në këtë drejtim paraqitet një disballancë i asaj me numrin e banorëve dhe numrin e votuesve në Maqedoni. Kur të kalohet në kompetencë të komisionit shtetërorë zgjedhor në Maqedoni, unë mendoj se atëherë do të jemi më kompetent dhe të bëjmë azhorimin e këtyre listave dhe normal që kjo që paraqitet se ka 200.000 votues fiktiv atëherë do të mundet të japë një përgjigje më konkrete”.
Në garën presidenciale, zyrtarisht janë 7 kandidatë mes të cilëve edhe 3 shqiptarë. Agron Buxhaku, i Bashkimit Demokratik për Integrim, Imer Selmani i Demokracisë së Re dhe Mirushe Hoxha, e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë. Sondazhet evidentojnë si favorit kryesor kandidatin e partisë në pushtet George Ivanov, i VMRO-DPMNE, i cili megjithatë nëse do të dalë fitues do të shpallet sipas parashikimeve vetëm në një raund të dytë. Ky i fundit zhvillohet pas 14 ditësh prej mbajtjes së raundit të parë dhe këtu garojnë vetëm 2 prej kandidatëve që kanë siguruar shumicën e votave.
Në këtë pikë sondazhet dhe analistët thonë se do të jetë e vështirë për kandidatët shqiptarë të shkojnë në raundin e dytë, po një gjë është e sigurt, votat e shqiptarëve do të jenë përcaktuese për të shpallur fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Në këtë rast partisë në pushtet do t’i duhet të bëj marrëveshje politike, ndoshta me PDI me të cilën bashkë qeveris që prej 1 qershorit 2008.
Krahas sfidës zgjedhore, ecuria e procesit është gjithashtu një sfidë. Problemet e vitit të shkuar kanë angazhuar Ministrinë e Brendshme me masa më të rrepta që garantojnë mbarëvajtjen e procesit. Zv/ministri i brendshëm Xhevat Buci, garanton që nuk do të ketë incidente.
Xhevat Buci: “Kemi dhe plan tjetër përveç planit që kishte një plan të përgjithshëm vitin e kaluar. Kësaj radhe kemi dhe një angazhim pak më të madh të forcave policore. Kam një shpresë të madhe se kësaj radhe do të kalojmë shumë më mirë se viteve të kalume, në përgjithësisht do të kalojmë pa incidente dhe pa probleme në këto zgjedhje presidenciale dhe lokale”.
Menada Zaimi: “Krahas zgjidhjeve të problemeve ekonomike që shfaqen dukshëm sidomos në komunat e dominuara nga shqiptarët, kandidatët dhe partitë politike, garantojnë se do të integrojnë vendin në BE dhe në NATO. Por për të mbërritur deri këtu do të duhet që qytetarët e Maqedonisë të tregojnë se dinë të bëjnë zgjedhje, se incidentet që shoqëruan procesin e parakohshëm zgjedhor të 1 qershorit 2008 nuk do të përsëriten dhe në 22 mars ku do të përballen kandidatët dhe partitë politike për të zgjedhur kryetarin e ri të shtetit si dhe ata që do të qeverisin pushtetin lokal”./tvklan.al
Nga Shkupi për TV Klan informojë, Menada Zaimi