Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ambasadorja Lino është lidhur me Shqipërinë dhe njerëzit e saj me një dashuri që shkon përtej misionit të diplomatit. Ka qenë ky vleresimi i presidentit Mejdani për Ambasadoren Amerikane Mariza Lino në takimin e lamtumirës në përfundim të misionit të saj diplomatik. Ambasadorja Lino ka nisur takimet e lamtumirës disa ditë më parë.

Mariza Lino pasi është takuar me liderin e opozitës Berisha dhe Ministrin e Jashtëm Milo dje në mbrëmje ajo ka mbledhur në Ambasadën Amerikane qeveritare, politikanë, miq e të ftuar të tjerë. Ndërsa sot ajo është përshëndetur me kreun e shtetit Mejdani e kryeministrin Majko.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona u shpreh presidenti Mejdani në takimin e sotëm, këto vitet e fundit kanë njohur vetëm progres. Në këtë zhvillim janë dhe gjurmët e Ambasadores Lino si misionare e palodhur e demokracisë në Shqipëri. Ndërkohë Lino u shpreh se miqësia dhe bashkëpunimi mbi bazën e vlerave të larta të demokracisë janë e sotmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqiperisë.

Po sot ambasadorja Lino është takuar me Kryeministrin Majko pa praninë e gazetarëve. Në përfundim Majko e Lino kanë deklaruar.

Kryeministri Pandeli Majko:- “Unë them që ajo do të lerë gjithsesi një vakum nga pas, në radhë të parë jo si Ambasadore, sepse një ambasador tjetër do të vijë po aq i aftë sa Ambasadorja Lino, por vakumi do të jetë në planin njerëzor. Bazuar mbi këtë do thoja që zonjusha Lino siç lexova në disa gazeta nuk do largohet nga Shqipëria si zonjusha Lino do të largohet si zonja Lino, se tashmë ajo është martuar me fatin e Shqipërisë”.

Mariza Lino, Ambasadorja Amerikane:- “Thjesht dua të vlerësoj marrëdhëniet e mira që kam patur në Shqipëri ku nuk ka munguar bashkëpunimi dhe dëshira e mirë që interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës së bashku me ato të Shqipërisë të shkojnë për të mirën e Rajonit. Unë nuk uroj gjë tjetër veçse të mira për këtë vend, për kryeministrin dhe popullin shqiptar”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego