Ngjarja e ndodhur 3 ditë më parë në Hotel Dajti ku u vodhën 32 pasaporta të misionarëve të Sant Edigios, ka kaluar tashmë në prokurori ku është hapur dosja hetimore. Vjedhja misterioze vazhdon të mbetet e tillë.

Me gjithë punën operative të policisë së Tiranës për zbardhjen e rrethanave në dosjen hetimore nuk është shënuar asnjë emër si përgjegjës apo grabitës i rastit skandaloz. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë thirrur për tu pyetur dy sportelistët të turnit në këtë hotel.

Ndërkohë pas ditëve pas ngjarjes, nga vetë hoteli nuk është dhënë asnjë komunikatë zyrtare, ndërsa kamerat televizive nuk janë lejuar të xhirojnë në hollin e hotelit pikërisht nga punonjësit e sigurisë.

Një fakt me të cilin është përballur policia është se holli i këtij hoteli në kundërshtim me elementët e sigurisë së një hoteli me shtetas të huaj nuk është i pajisur me kamera sigurie.

Enigmë mbetet gjithashtu edhe mungesa e një pasaporte apo një sirtari me çelës në sportelin e hotelit, si dhe vendodhja e katër rojeve të turnit në orën që janë zhdukur pasaportat. Rasti ka alarmuar edhe Presidentin e Republikës Moisiu i cili ka kërkuar maksimumin e punës për zbardhjen e ngjarjes nga Ministri i Rendit, Rama dhe nga kryeprokurori Sollaku.

Deri tani nuk është dhënë ndonjë shpërblim për informatorë të mundshëm në lidhje me ngjarjen ku u grabitën dokumentet e identifikimit të 32 shtetasve të huaj, misionar të një organizate ndërkombëtare me rol aktiv për paqen dhe politikën e vendit tonë dhe Ballkanit në përgjithësi./tvklan.al