Kryeministri Sali Berisha ka ndarë me anëtarët e kabinetit qeveritar frytet e takimit zyrtarë në Estoni. Vend ky me menaxhim të suksesshëm në rang ndërkombëtarë të shërbimeve të internetit dhe klimës së favorshme të biznesit. Në këtë drejtim kryetari i qeverisë u dha porosi konkrete ministrave, duke vënë theksin në standarde më liberale për biznesin, që për numrin 1 të ekzekutivit nënkupton heqje të licencave apo kalim të tyre në sistemin One Stop Shop, ndryshe licencim në një ditë.

Sali Berisha: “Do të heqim licencat në të gjitha rastet e mundshme. E kupton t’i Eno, merren me licenca hotelesh. Jo zotëri, as nuk merrem me licencë hoteli, as me yje, as me trandafila hotelesh. Licenca do të pësojë 2 fate. Fati më i shkëlqyer i tyre është heqja, fati i dytë është futja në One Stop Shop”.

Por kryeministri ka trajtuar me të njëjtën përparësi dhe çështjen e shërbimeve elektronike. Edhe në këtë rast ai solli eksperiencën e Estonisë, e cila suksesshëm po e zbaton atë në sistemin bankar.

Sali Berisha: “Në buxhet do të përcaktohet përqindja më e lartë e mundshme në fushat tuaja për IT, për teknologjinë e informacionit, për procedurat elektronike. Estonia shembull frymëzues i arritshëm”.

Dhe optimizmin e tij, kryetari i qeverisë e mbështeti në shifra. Nga 4.8% që rezultonte përdorimi i internetit në Shqipëri në vitin 2005, shifra do të shkojë në 25% në fund të vitit 2008./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi