“Aldo Morning Show” në Tv Klan ka shkuar këtë të mërkurë në Vlorë dhe pjesë e programit janë bërë disa figura të njohura të sportit. Jemi vetëm 9 ditë para Euro 2024 dhe pritshmëritë janë të larta, po aq sa edhe diskutimet e ndryshme lidhur me ekipin.

Kushta u ndal te Armando Broja. Sipas tij, si çdo lojtar, edhe Broja ka karakterin e tij por është vepruar keq me të.

Sokol Kushta: Lojtarët kanë karakterin e tyre, është trajneri ai që qëndron mbi palët dhe vë pedagogjinë  mbi lojtarët. Me Brojën kanë vepruar keq, kanë vepruar shumë keq për arsye…

Aldo: Rea?

Sokol Kushta: Po pasi Broja ka tipin e tij siç ka Demollari, siç ka Ledio Pano, Skënder Gega etj, të gjithë kanë tipe të ndryshme. Është ai që quhet trajner që vendos pikat mbi “i”, është edhe pedagog, duhet të kuptojë psikologjinë e secilit.

Kushta rendit tre momente të vështira të Brojës.

Sokol Kushta: Trajneri duhet të marrë më të mirën e lojtarit në fushë, ta punojë psikologjikisht si Mourinho që e bën lojtarin të japë edhe shpirtin për të, ky quhet trajner. Broja kaloi tre momente,  momentin e parë me Rean që nuk e ndihmoi fare psikologjikisht, momentin e dytë që u dëmtua dhe momentin e tretë që e la trajneri tjetër pa aktivizuar.

Duke e evidentuar si lojtar për shkak të pozicionit si sulmues dhe interesit të publikut për të, Kushta shprehu vlerësim për Brojën dhe ndryshimin që vuri re në ndeshjen me Lihtenshtejnin.

Sokol Kushta: Broja është pika kryesore, është lojtar i mirë. Me vështirësi ai po rritet. Këto tre periudha që unë i thashë, dëmtimi, Reja, ky trajneri, unë them se atë e kanë rritur. Pardje ishte një ndeshje e lehtë por këto janë ndeshje taktike dhe unë pashë një Broja tjetër, më altruist, më të kombinuar me grupin.  Kjo është dora e trajnerit.

Ndeshjet e Euro 2024 mund t’i ndiqni ekskluzivisht dhe pa pagesë në ekranin e Tv Klan./tvklan.al