Përmes një audio-mesazhi nga burgu, ish-Presidenti Ilir Meta e cilëson vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, një hap pozitiv për të shkuar me shpejt drejt asaj të Strasburgut.

Meta u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që të votojnë më 11 Maj për të rrëzuar atë që ai e cilëson narko-regjim.

“Make Albania great forever”, ky është angazhimi dhe zotimi ynë për 11 Majin, ditën historike kur do ndahemi nga narko-regjimi, por dhe narko-drejtësia e tij. Sot për çështjen “Meta” hodhëm një hap pozitiv sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë, që nuk ekziston! Në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut, pa asnjë diskutim do të fitojmë, siç fituam në Komisionin e Venecias, kundër ramoformës. Mos harroni se 2 Marsi po vjen dhe bashkë me të edhe 5-vjetori i atij mitingu të jashtëzakonshëm, mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës, falë të cilit jo vetëm u çmontua ramaforma si pjellë e ligjeve anti-kushtetuese, në kundërshtim me Komisionin e Venecias, por njëkohësisht kur hodhëm në Lanë edhe ligjin e betimeve. Ndaj ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve patriotë kudo ku janë, të gjithë drejt 11 Majit! Të gjithë bashkëatdhetarët tanë të regjistrohen për të votuar në ditën historike kur narko-regjimi do të hidhet te Lana, njësoj siç u hodh në Maqedoninë e Veriut regjimi kukull i Sorosit”, thotë Meta në mesazhin e tij.


GJL la në fuqi këtë të Enjte vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, për mos ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Metës. Tanimë shpresa e vetme e këtij të fundit për të fituar lirinë, mbetet Gjykata e Strasburgut, siç e specifikoi në krye të herës.

Kujtojmë se Meta u vu në pranga me urdhër të SPAK më 21 Tetor 2024. Ai akuzohet për 3 vepra penale, “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

/tvklan.al