Një tjetër i zgjedhur vendor vihet në shenjestër të sulmeve me tritol. Kryetarit të Komunës së Milotit, lëndën eksplozive ia kanë vënë gjatë natës në një ekskavator që kishte ne pronësi, të parkuar pranë një karburanti në rrugën Milot – Rrëshen.
Behar Haxhiu, i zgjedhur për herë të parë nën siglën e Partisë Demokratike, thotë se nuk ka konflikte personale me askënd dhe hedh poshtë edhe lidhjen e ngjarjes me detyrën e tij.
Zërave se shpërthimi mund të jetë pasojë e aksionit të një dite më parë për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë rrugës Milot – Rrëshen, u pergjigjet duke thënë se ai ishte në krah të banorëve.
Mjeti është dëmtuar rëndë. Ai qëndronte i parkuar prej disa javësh në pjesën e pasme të këtij karburanti, që tregëton edhe gaz të lëngshëm. Policia ka marrë në pyetje disa persona, por nuk ka ndaluar ndonjërin prej tyre. Behar Haxhiu është i zgjedhuri i tretë demokrat që vihet në shënjestër të sulmeve me lëndë plasëse. Kryetari i Komunës Qendër në Vlorë u plagos teksa makina e tij u hodh në erë me eksploziv teksa po qarkullonte në zonën e Skelës. Ndërsa javën që shkoi, në Tiranë u sulmua me antitank shtëpia e kryetarit të komunës së Farkës.