Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Zgjedhje të lira dhe polici profesionale. Kjo është përmbledhja e fushatës elektorale, e votimeve të 1 Tetorit, bërë nga Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi. Ai para gazetarëve, pas deklaratës pozitive dhe nga ambasadori amerikan Limpreht, ka theksuar edhe njëherë mbështetjen që organizmat e huaja në Shqipëri, i bënë qeverisë dhe policisë shqiptare për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “Organizmat e huaja dhe OJQ, që vëzhguan procesin elektoral, për zgjedhjet vendore, kanë dhënë vlerësimet maksimale për veprimet profesionale të policisë shqiptare. Duartrokasim forcat e policisë për sjelljen e tyre profesionale në sigurimin e rendit publik, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadës amerikane në Shqipëri mbi zgjedhjet lokale”.
Por sipas Poçit, përveç mbarëvajtjes së procesit elektoral, nuk është lënë pas dore dhe lufta ndaj të inkriminuarve brenda radhëve të policisë.
Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “24 oficer e punonjës të policisë, janë liruar nga detyra, gjatë fushatës elektorale dhe asaj zgjedhore, sepse kanë shkelur ligjin duke bërë propagandë në favor të forcave të ndryshme politike. Këto masa ndëshkimore, janë mirëpritur nga efektivët e policisë dhe kanë hedhur një bazë të shëndoshë për instalimin e psikologjisë, së zbatimit fanatik të ligjit, jashtë ndikimit politik tradicional”.
Jemi të vendosur, tha Poçi, që edhe balotazhet të kalojnë pa incidente. Nuk do të lëmë më të na vrasin kriminelët, ka theksuar ministri Poçi, duke marrë shkas nga eleminimi fizik dje i dy të shumë kërkuarve, duke shtuar se policia është e vendosur, në luftën e saj ndaj elementit kriminal./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj