Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Përllogaritja e borxhit të jashtëm dhe objektivat për shlyerjen e tij kanë shkaktuar konflikte mes Ministrit të Financave Islami dhe stafit të tij të ngushtë. Burime jo zyrtare konfirmojnë se drejtori i borxhit dhe thesarit Ilir Zeqo, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej vitesh, për shkak se nuk ka qenë dakord me ministrin për objektivat e vendosura për shlyerjen e borxhit të jashtëm.

Në një njoftim zyrtar, Ministria e Financave ka publikuar objektivin, sipas të cilit brenda vitit 2004, do të përcaktohen afatet për shlyerjen e borxhit të jashtëm, kryesisht atij të trashëguar. Burime në Kryesinë e Kuvendit shprehen, se ky lloj konfuzioni ka shtyrë prej disa ditësh edhe diskutimin e një projektligji të ri mbi borxhin që ka mbërritur për shqyrtim në komisionin parlamentar të ekonomisë.

Me debate të ashpra u diskutua disa javë më parë një projektligj për borxhin në komisionin parlamentar të ekonomisë, ku të pranishëm ishin dhe Ministri i Financave Islami dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se niveli i borxhit është rritur në mënyrë kritike. Aktualisht ai shkon në afro 326 dollarë për frymë.

Problematike sipas burimeve zyrtare, mbetet borxhi i ri, ku afro 470 milion dollarë janë kredi të huaja të pa tërhequra. Ndërkohë që shteti nuk ka arritur të disbursojë afro 40-30% të kredive të huaja akorduar vendit tonë./tvklan.al