Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministria e Financave është duke përfunduar hartimin e një pakete ligjore në fushën e sigurimeve, e cila deri tani ka mjaft mangësi. Ministri i Financave Kastriot Islami, gjatë një takimi me përfaqësuesit e sigurimeve që veprojnë në vend tha, se nga eksperienca e pakët në këtë fushë mjaft fenomene duhet të përmirësohen.

Kastriot Islami:- “Një problem që ne duhet ta diskutojmë dhe të gjejmë mirëkuptimin në zgjedhjet e përbashkëta është problemi i pagesës së dëmeve, e cila tashmë është në nivel jo ashtu siç duhet, konform standardeve ndërkombëtare dhe natyrisht, ju e dini ndoshta edhe më mirë se unë, rëndësinë që ka vendosja e një raporti të drejtë ndërmjet pagesës së dëmeve, primeve dhe fitimeve, që kanë kompanitë e sigurimit. Po kështu, një nga prioritetet e qeverisë dhe angazhimet që ne kemi marrë me institucionet financiare ndërkombëtare është pikërisht, formalizimi i ekonomisë dhe kthimi i të gjithë kapitaleve në kanalet bankare”.

Përveç kësaj, ministri i financave tha, se shmangia e tarifave të aplikuara nga tarifat që ka vendosur Ministria e Financave, ka çuar në një konkurrencë të pa drejtë, e cila është reflektuar edhe nga kompania shtetërore e sigurimeve INSIG. Për këtë në vëmendje do të jetë disiplinimi i skemës së re të funksionimit të policave të sigurimit./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja