Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministria e Financave nuk ka përfshirë në buxhetin e shtetit interesat e borxhit të jashtëm që Shqipëria u detyrohet vendeve të tjera. Ministri i Financave Kastriot Islami, ka konfirmuar se ka pasur probleme me pagesën e interesave të borxhit të jashtëm në buxhetin e këtij viti.

Kastriot Islami:- “Ekspertët në dy sektorët e borxhit të brendshëm dhe borxhit të jashtëm, kanë kalkuluar atë që quhet, për ta mësuar ju dhe për të mësuar dhe pak financat, koston e borxhit të brendshëm dhe borxhit të jashtëm, natyrisht duke qenë një parashikim, ai mund të luhatet me vlera pozitive dhe negative nga realiteti. Ka rezultuar që përsa i përket borxhit të brendshëm, ai është parashikuar pak më i ulët se sa ndodhi në realitet dhe kjo lidhej kryesisht me situatën mjaft të vështirë që ka pasur vitin e kaluar si rezultat i tërheqjes masive të depozitave nga sistemi bankar, por për fatin e mirë, që sivjet ka pasur një kurs të ulur të dollarit, kosto e borxhit të përgjithshëm dhe të jashtëm ka rezultuar nën kontroll”.

Burime nga kryeministria bëjnë të ditur se pagesat e interesit të borxhit të jashtëm, nuk janë programuar fare për t’u shlyer në projektbuxhetin e vitit 2003. Shuma që buxheti duhet të shlyente ndaj interesave të borxhit, që Shqipëria ka ndaj vendeve të tjera kap shifrën e 42 milion dollarëve. I pyetur për këtë çështje, ministri Islami shpjegoi.

Kastriot Islami:- “Atëherë do t’ju përgjigjem saktësisht si është e vërteta për këtë çështje për të marrë përgjigje edhe personi që ju ka bërë ju pyetjen. Kjo është një çështje fare teknike, në fund të vitit kur përgatitet projektbuxheti, po e njëjta gjë bëhet edhe për projektbuxhetin e vitit 2004, ke një drejtori që quhet, drejtoria e borxhit dhe që merr në analizë të gjithë situatën e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm për vitin aktual”.

Ky është shpjegimi i njeriut përgjegjës, në lidhje me buxhetin e shtetit dhe borxhin e jashtëm. Interesat e këtij borxhi të pa llogaritur në buxhet, mund të shlyen vetëm duke shkurtuar investimet publike, ose duke rritur të ardhurat nga tatimet e doganat, ose siç pranon vetë Islami, duke përfituar nga kursi i këmbimit. Islami reagoi dhe në lidhje me kritikat e vazhdueshme të FMN-së për mungesë transparence të projektbuxhetit të vitit 2004, i cili po diskutohet në nivel teknik./tvklan.al