Neuropediatrja, Migena Kika e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan foli sa i takon fizioterapisë tek fëmijët. Ajo tha se ka disa arsye që ndikojnë në zhvillimin motorik të fëmijëve. Ndër të tjera ajo cilësoi si më kryesoret shtatzëninë e vështirë, pirjen e duhanit apo alkoolit gjatë shtatzënisë, ose rastet kur fëmijë lind me sëmundje kronike.

“Zhvillimi motorik është aftësia e parë që nis tek fëmija i vogël dhe normalisht që lind që muajt e parë të jetës, ose në ditët e para të lindjes. Zhvillimi i mirë i motorit të një fëmije duhet stimuluar nga prindi, sidomos në ata fëmijë që mund të kenë problematika, kur nëna ka pasur një shtatzëni të vështirë, apo ka disa faktorë rreziku që mund të ndikojë në këtë zhvillim motorik. Ka përdorur alkool gjatë shtatzënisë apo ka pirë duhan, ose në rastet kur fëmija ka lindur më sëmundje kronike, të cilat mund të bëjnë që bebi të mos ketë një lëvizshmëri ashtu siç duhet në muajt e parë të lindjes”, tha Migena Kika.

Duke u ndalur më imtësisht tek fizioterapia, mjekja tregoi shembuj për çdo periudhë të rritjes së fëmijës, kur fizioterapia nuk është e nevojshme. Në sajë të shpjegimeve të mjekes bëhen lehtësisht të dallueshme shenjat që tregojnë se fëmija nuk ka një zhvillim motorik të duhur dhe se duhet t’i nënshtrohet fizioterapisë.

“Në moshën dy mujashe fëmija duhet të jetë i aftë që nëse mbahet në pozicionin barkas, të arrijë të mbajë kokën për disa sekonda ose pak më ngjatë ngritur, pra koka të mos t’i bjerë poshtë. Njëkohësisht nëse është në pozicione të tjera duhet të jetë në gjendje që të lëvizë duart dhe këmbë. Duart nuk duhet të jenë gjatë gjithë kohës në pozicion të flektuar sepse bebet kanë këtë tendencën që në bark të mbajnë duart e mbyllura, por në momente të caktuara dhe për një moment të caktuar edhe mund të hapen. Pra këto janë pak a shumë ata gurët kilometrikë që në moshën 2 muajshe, duhet të kemi parasysh nëse arrihen apo jo.

Sa i përket moshës 4 muajshe, nëse qëndron në pozicionin barkas bebi duhet të jetë i aftë jo vetëm që të mbajë kokën mirë për një periudhë kohe të shkurtër, por njëkohësisht të qëndrojë me kokën e ngritur dhe mbështetur me pjesën e parakrahëve, pra të qëndrojë në këtë pozicion për disa sekonda dhe të jetë i stabilizuar në këtë pozicion. Nëse i vendoset një lodër në dorë, të jetë i aftë që të mbajë lodrën për disa sekonda pa e lëshuar direkt atë, Kjo tregon që pjesa e kapjes është në rregull dhe nuk kemi muskuj të lëshuar apo muskuj spastikë, sepse nuk duhet ta mbajë lodrën shtrënguar për gjatë gjithë kohës. Në moshën 6 muajshe duhet të jetë i aftë që të qëndrojë i ulur në mbështetje, nëse i hiqet pjesa e mbështetjes për të mbajtur ekuilibrin ai mund të anohet pak përpara, sepse nuk është ende gati të qëndrojë pa mbështetje. Por, në këtë pozicion vendos duart para për t’u mbrojtur dhe ekuilibron veten.

Në moshën 6 muajshe fëmija nëse qëndron barkas, mbështetet jo vetëm me parakrahë, por dhe më të dyja duart. Kur, qëndron barkas mund që të ndryshojë pozicion, të rrotullohet në shpinë. Në moshën 9 muajshe fitohet një aftësi tjetër që është shumë  e rëndësishme, pra qëndron ulur pa mbështetje, mund të mbajë një ushqim në dorë dhe ta fusë në gojë dhe njëkohësisht në moshën 9 muajshe mund të kalojë një objekt nga njëra dorë në dorën tjetër”, përfundoi mjekja./tvklan.al