Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kjo është parcela e fundit që ka mbetur në Sharrë për varreza. Gjendja emergjente ka kohë që është paraqitur e tillë në Bashkinë e Tiranës. Para tre muajsh, bashkisë iu lëvrua një fond prej 9 milion lekësh të reja për të ndërtuar një parcelë të re, në varrezat e Sharrës. Ky fond ka mbetur i paprekur, pasi komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave, ka vonuar çështjen me pronarët e tokave përreth varrezave. Për këtë drejtori i përgjithshëm i punëve publike, pranë bashkisë, Ervin Tresa thotë:

Ervin Tresa:- “Në momentin aktual që ne po flasim, komisioni i kthimit të pronave është duke e trajtuar çështjen shumë ngadalë dhe në momentin që ky komision do të japi vendimin e vetë, neve do të fillojmë punën për sistemimin e parcelave të reja. Tenderi është bërë, firma fituese pret që të fillojë punimet, por ne gjithsesi donim t’i bënim gjërat të rregullta nga pikëpamja ligjore”.

Në varrezat e Sharrës, një zgjidhje është gjetur, duke shfrytëzuar edhe toka të tilla. Komisioni i kthimit të pronave duhet të vendosë që çështjen ta zgjidh menjëherë, pasi në këtë parcelë të fundit, vende ka vetëm për një javë./tvklan.al