Nedim Bajrami dërgon sinjale nga Superliga skoceze. Mesfushori shënoi një prej golave në fitoren 2-4 që Rangers regjistroi në transfertën e Kilmarnock.

Pavarësisht aktivizimit nga stoli, 25-vjeçari arriti të shfrytëzoj në maksimum rastin e krijuar nga shokët e skuadrës në minutën e 85-të. Bajrami u tregua i saktë, i vetëm përballë portierit kundërshtar, i cili nuk arriti të bëj më shumë se sa të devijojë goditjen e mesfushorit shqiptar.

Në 12 minutat e tij në fushë, Bajrami preku 13 herë topin për të merituar notën 7.4. Ky ishte goli i dytë për mesfushorin në kampionat dhe i treti këtë sezon me Rangers, ku ka dhënë edhe tre asiste.

Bajrami ka treguar nivel të lartë dhe me kuqezinjtë, pasi shënoi në kualifikueset e fundit të Ligës së Kombeve. Vlerësim i mirë për mesfushorin që karikohet siç duhet para sfidave të Kombëtares Shqiptare në muajin Mars.

Mesfushori pritet të jetë pjesë në grumbullimin e përfaqësueses për dy sfidat në 21 Mars ndaj Anglisë dhe tre ditë më pas kundër Andorrës.

Klan News