Fizioterapi është një fushë për të cilët nuk ka shumë informacione dhe nuk njihet gjerësisht nga shumica e popullatës, aq më tepër për dobitë që sjell. Mëngjesin e kësaj të enjteje paneli i të ftuarave në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan folën për fizioterapinë tek fëmijët.

Fizioterapistja Ledina Nikolla tha se dhe fëmijët kanë nevojë për fizioterapi dhe kjo vjen për disa arsye. Ajo mori si shembull rastin më të lehtë dhe ndoshta më të shpeshtin që ishte mbajtja e kokës mënjanë, e cila ka të bëjë me shkurtimin e muskulit nga njëra anë.

“Ka disa arsye pse një bebe ka nevojë për fizioterapi edhe nëse nuk ka asnjë lloj patologjie, kur nuk ka asnjë nevojë madhore. Por, mund të jetë dhe një zhvillim pak më i vonuar, 2-3 javor në zhvillimin muskulor. Patologjitë që prekin bebat e vegjël janë të ndryshme. Që nga më e lehta, e famshmja mbajta e anësisë së kokës. Shpesh prindërit thonë që fëmija im mban kokën mënjanë, por i ngjan vjehrrit apo vjehrrës dhe e kemi e lënë. Por, në fakt jo, mund të jetë një muskul që mund të jetë shkurtuar. Mund të jetë shkurtuar nga barku i nënës, nga pozicioni që ka ndenjur në barkun e nënës, mund të jetë tërhequr padashje gjatë kohës së lindjes për arsye jetike nga mjekët, mund që vetë prindërit gjatë javëve të para të lindjes së fëmijës ta kenë lënë gjithmonë në të njëjtin pozicion.”

Për mbajtjen e kokës në një anë, fizioterapistja tha se është shumë e lehtë kur trajtohet në kohën e duhur. Por, nga ana tjetër nëse gjendja agravon sugjerohet ndërhyrja kirurgjikale, për shkak se mund të japë deformime të kokës dhe fytyrës.

“Ka raste kur kjo situata është më e rëndë, kur duhet ndërhyrja kirurgjikale. Por, në këto raste është aq shumë e theksuar saqë fëmijës i shfaqen dhe deformime të kokës, madje edhe të fytyrës disa herë në mimika. Ndikon dhe në simetrinë e fytyrës. Sa më shpejt të kapet dhe të mos neglizhohet, mirë është që të ketë një kontroll tek specialistët për ta parë dhe për ta parandaluar. Gjithmonë është më mirë që të parandalosh se sa të trajtosh.”/tvklan.al