Një ngjarje e rëndë në Tropojë ku nga përplasja e armatosur mes protestuesve të PD-së dhe policisë janë vrarë disa persona dhe janë plagosur shumë të tjerë. Sipas burimeve ende jo zyrtare bilanci flet për katër të vrarë nga radhët e protestuesve dhe një nga radhët e policisë. Sipas Ministrisë së Rendit ngjarja ka nisur sot në mesditë kur dega e PD-së Bajram Curri ka nisur një miting.
Pas kësaj demonstruesit janë drejtuar nga godina e gjykatës së rrethit dhe më pas drejt komisariatit të policisë. Para godinës së policisë është bërë thirrje për lirimin e të burgosurve dhe për dorëzim në komisariat. Ndërkohë janë dëgjuar të shtënat e para nga radhët e protestuesve drejtuar policisë. Gjithnjë sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Rendit Publik, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur po me armë.
Pikërisht nga ky moment kanë rrjedhur dhe pasojat sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë Shqiptare Bilbil Mema, janë ende të paqarta. Sipas tij nga komisariati i policisë është njoftuar se nga radhët e policisë ka një polic të plagosur rëndë, fati i të cilit nuk ndihet ende. Ndërsa nga radhët e protestuesve janë dy të plagosur rëndë të cilët janë sjellë për kurim në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Burimet të Rendit thanë se paqartësia në bilancin e viktimave vjen për shkak se pjesa më e madhe e ngjarjeve ka ndodhur jashtë mureve të komisariatit dhe nuk është bërë ende e mundur lidhja me spitalin e qytetit ku ndodhen për kurim viktimat./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj