Reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë Qarkun e Dibrës. Temperaturat gjatë natës kanë zbritur deri në -6 gradë në Kalanë e Dodës. Reshjet e borës kanë rënë deri në lartësinë 1300 m, por nuk kanë zbritur ende në fshatra apo zona të banuara.
Pika më e lartë e rrugës Peshkopi-Kukës, në fshatin Vasie dhe Ploshtan të Kalasë së Dodës është përfshirë nga një erë e ftohtë e cila ka skalitur pemët, shtyllat dhe telat me një shtresë akulli. Si pasojë e ngarkesës nga akulli janë rrëzuar degë pemësh, janë këputur tela përçues dhe shtylla duke lënë gjithë fshatrat e Njësisë Administrative Kala e Dodës pa energji.
Përgjatë gjithë natës kanë punuar 4 grupe të OSHE dhe pritet që në orët në vijim të rikthehet energjia. Sa i përket situatës rrugore nuk ka probleme, kjo edhe për faktin se bora ende nuk ka zbritur nën 1300 metra.
Sot është edhe dita kur nis regjimi dimëror, ndaj drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë. Kompanitë kanë vendosur mjetet e nevojshme borëpastruese në pikat problematike./tvklan.al