Raportim Live
11:58, 27 Shkurt 2025

Petro Koçi nuk harron: Më vutë koburen në kokë dhe më qethët

Deputeti Petro Koçi nuk e harron të kaluarën. Këtë ia kujtoi edhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka duke i replikuar në Kuvend.

Koçi tha se di shumë mirë që ka qenë në lista e zeza të PD-së në vitin 1997.

Po ashtu ai i tha Nokës se nuk është merita e socialistit që i vunë koburen në kokë, që e futën në qeli dhe më pas e qethën. Mirëpo një mirënjohje e kishte. Faktin që i kishin qethur kokën… Lexo më shumë

11:48, 27 Shkurt 2025

Bardhi: Rektori i UBT mori “strehim politik”. Presidenti ta shkarkojë!

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën në atë që ai e quan “strehim politik të Rektorit të Bujqësorit”.

“Keni qenë partner të Rusisë dhe Kinës, pastaj ndryshuat qasje. Një Rektor që sipas ligjit supozohet të jetë i depolitizuar, kërkoi strehim në grup parlamentar për të justifikuar një aferë të rëndë. Ende sot që flasim, nuk ka kërkuar të sqarojë atë organ akademik që ka për detyrë të sqarojë, kërkon të rrëfehet në grupin parlamentar të PS-së, në shkelje flagrante të ligjit”, tha Bardhi në Kuvend.

Niko Peleshi iu përgjigj duke theksuar se “fjalët e tij janë abuzim dhe spekulime”.

Bardhi kërkoi që Presidenti i Republikës të shkarkojë menjëherë Rektorin Fatbardh Sallaku.

download app
11:43, 27 Shkurt 2025

“S’keni tekst”, Peleshi i përgjigjet Nokës. Demokrati nga tavolina: Keni mbaru

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përfshirë në replika me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi. Shkak është bërë vota e emigrantëve.  

11:22, 27 Shkurt 2025

Balla e Berisha “përplasen” në Kuvend. Kreu i PD i lexon dosjen: Tao, Tao…

Gjatë seancës së sotme në parlament ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përfshi në debat me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fillimisht Balla, akuzoi opozitën se kanë kushtëzuar votën edhe për të rregulluar disa afate sa i përket votës së diasporës. Ai i tha Berishës se gënjeu sy për sy sa i përket numrit të shqiptarëve të diasporës që i kanë skaduar dokumentet e identifikimit. E këtu bëri krahasimin e Berishës me Lulzim Bashën.

Ministri u shpreh se është krenar për mandatin e qeverisë socialiste, sipas të cilit ka bërë një transformim epokal edhe të sektorit të shëndetësisë. Sa i përket zgjedhjeve, paralajmëroi demokratët për një rezultat që as nuk e kanë imagjinuar në ëndrra.

Përgjigje i ktheu menjëherë Sali Berisha. Ai lexoi nga foltorja disa rreshta nga përgjimet që sipas tij i përkasin dosjes “Toyota Yaris”… Lexo më shumë

11:10, 27 Shkurt 2025

“Desoroizmi i Shqipërisë”, Majko-opozitës: Mos ngatërroni kekun me byrekun!

Pandeli Majko u shpreh sot në Kuvend se numri i të regjistruarve nga diaspora po shkon drejt 1 çerek milionit. “Mendoj se miratimi i akteve normative sot është gjest formal, sepse në dijeninë time është një akt që na bashkon dhe nuk na ndan. Aktet normative hyjnë në fuqi që ditën e miratimit. Numri i shtetasve tanë jashtë vendit që kanë shprehur dëshirë për të votuar po shkon drejt 1 çerek milioni që shpreh një vullnet dhe kulturë të re.”

Më tej, duke iu drejtuar opozitës tha se kjo teoria e “desoroizmit të Shqipërisë” e ka shokuar.

Jam i shashtisur kur dëgjoj këtë. Mos ngatërroni kekun me byrekun! Pro-amerikanizmi im është i një natyre tjetër që nuk ka të bëjë me mënyrën si e shikoni pro-amerikanizimin tuaj në interesa të ditës”, tha Majko.

11:07, 27 Shkurt 2025

“Ku e keni Agaçion?!”, Berisha paralajmëron Gjiknurin

Kryedemokrati Sali Berisha u ka kërkuar ‘llogari’ mazhoritarëve për mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi në Parlament. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se Agaçi është arratisur, ndërkohë që laptopi i tij është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme. Sipas kreut të PD-së, ai laptop do zbulojë të gjitha vjedhjet kriminale të forcës në pushtet.

“Ku është Agaçio, ku e keni? A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur ai ia mbath dhe mashtroni dhe thoni se është në spital. Është përhap thashethemi se është në intubim. Ku e keni? Ku është?! E dyta, laptopi i tij është në Prokurori, ta dini mirë. Jeni të pashpresë! Thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi të gjitha vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës me grupin e tij. Problemi më i madh i tij është dosja “McGonigal”...Lexo më shumë

10:37, 27 Shkurt 2025

“Më mirë të bëhet tani se pas zgjedhjeve do thoni po na persekutoni”, çfarë paralajmëron Berisha

Pas replikës mes Tabakut dhe Peleshit, fjalën e mori kryedemokrati Sali Berisha. Ai i kërkoi socialistëve që të mos fshihen, por të reflektojnë mbi tërmetin e madh politik që ka ndodhur në botë.

“Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri. Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend. Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë. Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla. Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare. Është më mirë të bëhet tani, se sa kur ta bëjmë ne fill pas zgjedhjeve, se do thoni po na persekutoni. Por unë u garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin. Pra, më mirë të bëjmë një ligj tani”, tha Berisha.

10:33, 27 Shkurt 2025

Tabaku-Peleshi “përplasen” për Avokatin e Popullit: Unë e kam bërë hapin

Seanca ka nisur me debate mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së. Jorida Tabaku tha se ka pritur nga mazhoranca të nisë një proces diskutimi për emrin e propozuar nga opozita për Avokatin e Popullit, Besim Ndregjoni.

“Opozita pret që të përfundojmë me një kandidat të propozuar nga opozita”, tha Tabaku. Po ashtu ajo kërkoi të mos shkelet puna e deputetëve të opozitës dhe të votohen ligjet që ata kanë propozuar.

Tabakut iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi.

“Jemi të gatshëm, s’kemi asnjë kundërshtim të vazhdojmë traditën parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, mbi bazën e propozimeve tuaja. Nuk jemi kundër asnjë emri, por të ndjekim procesin. Se kush po pret kë, ju them hapur që i kam kërkuar hapur kreut të grupit parlamentar të PD që të ulemi për këtë çështje. Jemi ne në pritje, unë e kam bërë hapin në emër të grupit”, tha Peleshi.

10:32, 27 Shkurt 2025

Dy salla në Parlament marrin emrat e politikanëve të ndjerë

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi sot në nisje të Kuvendit se dy salla në Parlament do mbajnë emrat e politikanëve të ndjerë, Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.

Të pranishëm në sallë ishin edhe familjarët e tyre.

“Në sallë janë familjarët e Bashkimit dhe Gertit që i përshëndes përzemërsisht. Ishin dy politikanë aktivë dhe me integritet të lartë, ishte kjo arsyeja e vendimit për të emërtuar këto dy salla me emrat e tyre”, u shpreh Spiropali… Lexo më shumë

10:19, 27 Shkurt 2025

Gazetari Enkel Xhangoli raportoi se çfarë parashikon axhenda e Kuvendit sot.

10:16, 27 Shkurt 2025

Kuvendi në seancë plenare