Ata dolën për herë të parë në skenë në vitin 1974 duke dhuruar të qeshura e gëzim. Si pa kuptuar,  kaluan 50 vite dhe Parodistët e Vlorës vijojnë të jenë po aq aktualë e të dashur për publikun. Në këtë 50-vjetor të tyre, ata kanë krijuar një shfaqje ku përmbledhin parodinë dhe jetën artistike.

Në stolin e “Aldo Morning Show” në Tv Klan ndodhen Afrim Agalliu dhe Agron Hamo të cilët sot përfaqësojnë edhe dy anëtarët e tjerë, pasi siç shprehen, “janë gjithnjë bashkë”. Por ç’do të sjellë shfaqja e përvjetorit të 50-të të Parodistëve të Vlorës?

Aldo: Kjo shfaqja juaj, duket sikur po e përmbyllni apo jo?

Afrim Agalliu: Jo, në asnjë mënyrë. Ne sa të kemi jetën, sa të kemi frymë, sa të jemi fizikisht edhe mendërisht do Zoti, do të jemi në skenë dhe në fakt, jo se do të duam ne, por na duan dhe kjo është një  përgjegjësi e madhe për ne dhe maksimalisht jemi të angazhuar për të patur shfaqje sa më të bukur. Shfaqja e radhës ka një titull shumë, shumë të bukur, “Rroftë parodia” dhe në datën 7, 8, 9 do të kemi premierën tonë “Rroftë parodia” dhe e çelim me një aperturë në të cilën unë dhe Gonia kujtojmë jetën tonë artistike si kemi ardhur, jo vetëm unë dhe Gonia, por më pas Mania dhe Meti, prandaj thamë jemi bashkë.

Aldo: Kur thua aperturë, është parodi?

Afrim Agalliu: Po ajo është apertura.

Agron Hamo: Hapja e perdes, fillimi i karrierës tonë.

Afrimi dhe Agroni ndajnë pak nga momenti i hapjes që është ideuar mbi një këngë të Gianni Morandi dhe Jovanotti ku duket se s’do të mungojë atmosfera fantastike. Ata zbulojnë se kanë bërë edhe koregrafi, edhe pse janë “47 vjeç”.

Afrim Agalliu: Madje kemi bërë edhe koreografi, imagjino tani ti, unë dhe Gonia të kërcejmë në këtë moshë.

Aldo: Pse thotë në këtë moshë ky?

Afrim Agalliu: Po mirë se edhe pak nuk jemi, 47 vjeç.

“Rroftë parodia” do të debutojë në datat 7, 8 dhe 9 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ora 19:30./tvklan.al