Problemi kryesor i turizmit në Shqipëri është shërbimi. Mungesa e stafit të kualifikuar është shqetësues, sidomos për strukturat e mëdha akomoduese teksa ato të voglat që shpesh janë në formën e bizneseve familjare, ofrojnë shërbim më të mirë.
Blendi Fevziu e mbështet këtë në një përjetim personal nga një udhëtim i vitit të shkuar në Gjirokastër. Gazetari kujton gjatë bisedës në “Rudina” në Tv Klan qëndrimin në një hotel të vogël familjar ku mëngjesi ia kalonte edhe hoteleve botërorë me 5 yje.
Blendi Fevziu: Ishte një hotel i vogël, Gjirokastra nuk kishte asnjë hotel. Nuk lashë njeri pa marrë në telefon të më gjenin hotel. Më në fund dikush më gjeti një dhomë. Ajo dhoma ishte një hotel relativisht modest që tani as emrin nuk ia kujtoj dhe më vjen keq. Kur u çova në mëngjes, i zoti i hotelit, unë do ikja se kisha lënë takim me ca të tjerë, më tha “unë kam përgatitur një mëngjes për ty, a mund të rrish?” I thashë po hajde po rri. Ishte mëngjesi më i mirë, nuk ka pasur hotele me 5 yje që kam qenë unë nëpër botë që të ketë pasur mëngjesin siç e shërbente ai në Gjirokastër.
Rudina Magjistari: Çfarë kishte ai?
Blendi Fevziu: Duhet të kem bërë një foto dhe do ta nxjerr. Nuk është problemi “çfarë kishte”, ajo kishte çdo gjë të mundshme që mund të hajë njeriu për mëngjes. Mënyra si e servirte dhe gruaja që shërbente në hotel, që ishte bashkëshortja e pronarit tha “më thotë burri që ta bëjmë mëngjesin bufe dhe i them jo se unë dua të flas me turistin, ta kuptoj çfarë pëlqen më shumë ai dhe t’i bëj atë që i pëlqen”. Ai mëngjesin e kishte të përfshirë, nuk ishte çështje çmimi, “unë dua që ta kënaq turistin”.
Një turist amerikan i kishte shkruar atij që kam vizituar që nga Sllovenia e deri në fund, por nga këto 5 vende më i bukuri është Gjirokastra. Pasdite pyeta një turist amerikan që gjeta në qendër, i thashë ore ma shpjego, ç’është ky pasion që keni për… tha, “po ishim në një hotel, e di ç’më ndodhi? Pyetëm të zotin e hotelit ku është qendra?”, në Gjirokastër 5 minuta është qendra. “Ai e mbylli recepsionin, na mori ne me vete, na çoi në qendër dhe tha po s’e gjetët rrugën, merrni numrin tim, merrni prapë, vij t’ju marr prapë”./tvklan.al