Në dhjetor 2021, “Stop” ishte në Laç për problemin e bashkëshortëve Grimci, të cilët treguan, se një punonjëse e postës u kishte vjedhur nga 2 muaj pension.
E megjithëse e provuam se kishte patur vjedhje, drejtori i Postës Laç, nuk e pranoi dhe e zgjidhi situatën duke u dhënë pensionistëve paratë e munguara.
Dy vjet më pas një tjetër denoncim na vjen për postën e Laçit, zyra e Sanxhakut, ku sërish Lindita Bushi, ka marrë 5 muaj pension të nënës së denoncueses në redaksinë tonë.
Lindita Bushi: Nëna ime e merrte pensionin në Laç, në Sanxhak dhe që nga viti 2021, i kanë humbur 5 muaj pension. Ne e kemi marrë vesh, sepse ne i merrnim pensionet vonë, për arsye, se nëna është e sëmurë dhe nëna jeton me mua në Tiranë dhe nuk ishte mundësia që t’i merrnim çdo kohë, muaj për muaj, rregullisht. Ne e morëm vesh në tetor të vitit 2021, që zonja në fjalë, Lindita Gjoka Bushi, është larguar dhe bashkë me ikjen, ka marrë dhe pensionet e shumë pensionistëve. Ishim dhe bëmë ankesë në drejtori, bëmë dhe kërkesë me shkrim për muajt, që na kishin humbur edhe vazhdoi ky proces, u zvarrit, nuk morëm vesh në botë, se çfarë po ndodh. Si përfundim na thanë “do shkoni në Lezhë” dhe të bënim denoncim në Prokurori dhe na thirren dhe ato, që të shkojmë, vajtëm bashkë me mamin. Që nga ajo ditë e deri më sot, ne s’kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk e dimë, se çfarë po ndodh. Ajo është 87 vjeçe. Asaj i duhen për ilaçe, se po të ishte e zonja, do rrinte në shtëpinë e vet në Sanxhak. 110 mijë Lekë ka qenë pensioni.
Drejtori i filialit të Lacit, Dilaver Lita, në vitin 2021 na tha, se punonjësja ka patur probleme me shikimin, por nuk ka patur vjedhje.
Në fakt pas dy vjetësh, punonjësja në fjalë është në gjykatë për veprën penale “vjedhje e kryer, duke shpërdoruar detyrën”.
Sot drejtori thotë, se me t’u shprehur Gjykata, Posta Shqiptare do dëmshpërblejë një për një pensionistët.
Dilaver Lita: Është një ngjarje e ndodhur në 2021-shin. Çështja është në Prokurori, në dijeninë time ka vajtur në Gjykatë dhe nuk është shprehur akoma Gjykata. Me t’u shprehur Gjykata, Posta Shqiptare do dëmshpërblejë një për një pensionistët. Edhe Posta Shqiptare ka bërë sqarim, me t’u vërtetuar fajësia, menjëherë të gjithë pensionistët, do të marrin dëmshpërblimin./tvklan.al