#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma
Personazhe të rinj, protagonistë të politikës që nuk kanë qenë të angazhuar në linjën e parë të politikës, por në formacionet ndihmëse. Pjesa më e madhe e tyre kanë vendosur të kandidojnë në ato që mund të konsiderohen para-zgjedhje, primaret në Partinë Demokratike ose “Deputeti që duam” në Partinë Socialiste ose partive të tjera politike me synimin për të garuar në zgjedhjet e 11 majit. Përfaqësues të katër formacioneve politike janë të pranishëm në studio. Kryesisht janë mosha të reja, por kriteri kryesor është dalja nga një angazhim ndihmës në linjën e parë
Të ftuar: Alesia Balliu, Andi Mustafaj, Arsejda Gjyli, Ermand Mertenika, Dorina Prethi, Ioana Peti
I gatshëm të lërë Francën për mandatin e deputetit, Mustafaj: Kam qenë demokrat që fëmijë
Andi Mustafaj, kandidat për primaret e PD-së për qarkun e Tiranës thotë se është i gatshëm të lërë Francën për Shqipërinë nëse fiton mandatin e deputetit. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mustafaj thotë se ka një jetë brenda Partisë Demokratike.
Blendi Fevziu: Unë e di që ti jeton jashtë prej vitesh.
Andi Mustafaj: Po midis Shqipërisë dhe Francës,
Blendi Fevziu: Dhe ke vendosur që të kandidosh për deputet në Shqipëri?
Andi Mustafaj: Po, në qarkun e Tiranës.
Blendi Fevziu: Po fitove, do të rrish këtu?
Andi Mustafaj: Po sigurisht do të ushtroj mandatin që do të më besojë populli nëse do të fitoj.
Blendi Fevziu: Pse ke vendosur të kandidosh?
Andi Mustafaj: Politika ka qenë një thirrje e brendshme për mua. Ka qenë gjithmonë një pasion. Kam pasur disa eksperienca. Vlerësoj se sot, nëse marrim pikën e kandidimit në primaret e PD-së është mënyra më e mirë sepse ligji është mjeti më i fuqishëm për të ndryshuar jetën e njerëzve.
Blendi Fevziu: Je i vendosur që do të kandidosh në primaret e Tiranës dhe do të bësh rrugëtimin brenda PD-së.
Andi Mustafaj: Kam një jetë brenda PD-së, kam qenë demokrat fëmijë, demokrat i ri dhe i rritur. Kam kaluar disa faza, kam qenë militant i thjeshtë, kam qenë anëtar i Këshillit Kombëtar, drejtues politik e tashmë kandidat.
Prej 20 vitesh inxhinier biomjekësor por synon politikën, i riu i PS frymëzohet nga Elon Musk
Emisioni “Opinion” në Tv Klan është fokusuar te të rinjtë në politikë. Ermand Mertenika vjen nga formacioni i Partisë Socialiste dhe në profesion është inxhinier fizikant biomjekësor. Ai ka 20 vite karrierë, por thotë se është frymëzuar nga integrimi i Elon Musk në sistemin e Trump dhe mendon se përmes politikës mund të ndikojë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Ermand Mertenika: Unë vij nga një sektor i teknologjisë, bioteknologjia, inxhinier fizikant biomjekësor dhe e shikoj këtë pjesë shumë të rëndësishme…
Blendi Fevziu: Pse e le ti fizikantin biomjekësor dhe të merresh me politikë?
Ermand Mertenika: Jo, ideja dhe koncepti është rëndësia sepse ne po e shikojmë aktualisht globalisht që teknologjia sot, bioteknologjia duke filluar që nga Elon Musk…
Blendi Fevziu: Po në Amerikë po marrin teknologë në vend të politikanëve, ti..
Ermand Mertenika: Po shikoj pikërisht pra mënyrën e integrimit të Elon Musk, pionerit të teknologjisë në politikën e Trump. Unë e shikoj si një risi në sensin që politikën e shikoj si një pasion, por edhe si një përgjegjësi që ne jemi të fokusuar më shumë në sektorin mjekësor, sesi mund të përmirësojmë, të asistojmë, të krijojmë projektligje në shërbim të pacienëve, qytetarëve, të dëgjojmë zërin e qytetarëve apo të pacientëve të ndryshëm dhe të jemi një forcë në parlament për të asistuar.
Blendi Fevziu: Sa kohë ke që ke punuar, që je marrë me profesionin tënd?
Ermand Mertenika: Kam pothuajse më shumë se 20 vjet si ekspert i IT dhe i fokusuar më shumë te inxhinieria biomjekësore fizike.
Blendi Fevziu: 20 vjet karrierë, të qenka mërzitur puna më duket!
Ermand Mertenika: Jo, ideja është që unë faktikisht e shikoj më shumë që t’i ushtroj të dyja. Politika mendoj unë është si një aset që ne mund të asistojmë, të përmirësojmë.
Blendi Fevziu: A beson vërtet te politika se duket sikur pjesa më e madhe e të rinjve e shohin si një mundësi për të ecur pak shpejt në karrierë? Gjysma përfundojnë te SPAK-u, gjysma marrin rrugën për në Durrës…
Ermand Mertenika: Politikën unë e shikoj si një koncept ku kemi të bëjmë me diplomacinë, por edhe që të përfaqësojmë, të jemi një zë i fortë i të rinjve në parlament për të përfaqësuar problematikat që qytetarët, pacientët kanë dhe sesi mund të përmirësojmë me anë të projektligjeve të ndryshme.
“U punësova kur administrata publike nuk kishte fare besueshmëri”, Gjyli tregon arsyet pse zgjodhi PS
Emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka të ftuar politikanë të rinj të Partisë Socialiste si dhe asaj Demokratike.
Arsejda Gjyli një politikane e re e PS ka treguar fillimet e saj në politike duke zgjedhur Partinë Socialiste, si dhe atë që e ka shtyrë të kandidojë në platformën “Deputeti që duam”.
Gjyli shprehet se ka zgjedhur Partinë Socialiste sepse para 10 vitesh përmes programit të punësimit ajo është vlerësuar me meritokraci nga qeveria duke u punësuar.
“Kjo është një lloj finalizimi i jetës publike që unë kam pasur për rreth 10 vite fillimisht me aktivizmin. Kam studiur shkenca politike dhe studime evropiane. Asyeja pse vendosa që të marr një angazhim politik dhe pse pikërisht tek Partia Socialiste dhe tek “Deputeti që duam” është që para 10 vitesh ndërmorra nismën për tu bërë pjesë e një programi tjetër që ishte programi i studentëve ekselent dhe përmes këtij programi u punësova pastaj në administratë publike ku kam dhënë kontributin tim si eksperte e integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Përpara kësaj kam qenë aktiviste, kam drejtuar një organziatë rinore ku sot mbaj pozicionin e pedagoges dhe përgjegjëses së zyrës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i gjithë ky aktivizim dhe impakti e kam parë si një nevojë që sot Shqipëria në rrugën drejt BE… Ajo duhet parë sepse jo të gjithë njerëzit nuk i duan politikanët. Duan një target politikanësh, por unë e shikoj si një nevojë në këtë moment të vendit”, u shpreh Gjyli.
-Pse ke zgjedhur PS?
“E kam zgjedhur për këtë arsye sepse para 10 vitesh përmes programit të punësimit unë u vlerësova me meritokraci nga qeveria. Arrita të punësohesha në një moment kur administrata publike nuk kishte fare besueshmëri në atë kohë dhe kjo ishte impakti i asaj që u iniciua si reformë administrative dhe kjo besueshmëri mua më bëri që të kem të gjithë kredencialet për ta besuar PS dhe për të kandiduar pastaj tek “Deputeti që duam””, thekson Gjyli.
“Rama, lideri që preferoj se dhe unë jam marrë me basketboll”, Balliu i kthehet Mertenikës: Ju jeni turp ore!
“Modeli im në politikë është Kryeministri Rama”, ka qenë kjo deklarata e aspirantit për deputet në radhët e PS-së, Ermand Mertenika që ka ngjallur debat në studion e “Opinion” në Tv Klan.
Kandidatja për primaret e PD-së, Alesia Balliu i është kthyer ashpër duke i thënë se është e patolerueshme një deklaratë e tillë në një studio televizive pasi thotë se “gjysma e qeverisë Rama është në burg“.
Nga ana tjetër, Mertenika thotë se Rama është lideri që preferon duke treguar edhe një nga arsyet: Edhe unë jam marrë me basketboll, edhe Rama sportist.
Blendi Fevziu: Kush është modeli yt në politikë?
Ermand Mertenika: Kryeministri Rama është model për mua sepse faktikisht kemi parë një Shqipëri para 15 vitesh dhe një Shqipëri të sotme.
Alesia Balliu: Kjo është e patolerueshme ore. Të vish në studio televizive të thuash “frymëzim është Rama” kur gjysma e qeverisë është në burg. Ju jeni fiks deputeti që shqiptarët nuk duhet të kenë. Etika është kur nuk vjedh, kur nuk bën korrupsion, kur nuk ke gjysmën e qeverisë në SPAK. Rama është frymëzim për të vjedhur. Ju jeni turp ore! Është rasti i vetëm në botë që qeveria në pushtet del para SPAK. Ka frikë se mos bëhet Erion Veliaj pendito. Frymëzimi juaj është vjedhja dhe korrupsioni.
Ermand Mertenika: Modeli i një politikani sot është kultura, është si të jemi tolerantë që të mos ofendojmë njëri-tjetrin. Kjo është shumë etike.
Alesia Balliu: Rama është Kryeministri i vendit, gjysma e qeverisë është në burg. Çfarë frymëzimi të jep ty si i ri?
Ermand Mertenika: PS ka pasur dhe më përpara. Kryeministri Edi Rama është ai lider që preferoj. E di pse? Edhe unë jam marrë me basketboll, edhe Rama sportist.
Alesia Balliu: Po çfarë do të thotë kjo? Ky është niveli mo, po çfarë niveli është ky mo? Jam sportist thotë. Ky është niveli i politikës. Ti je fiks deputeti që nuk duam. Elbasanin e ke bosh pa studentë. Elbasani është kthyer qyteti i krimit prej Taulant Ballës.
Dorina Prethi: Me cilësitë që unë kam doja t’i dedikohesha vendit
Dorina Prethi kandidatja për deputete e partisë “Shqipëria Bëhet”, e cila ka studiuar për drejtësi tha në Opinion se është futur në politikë për t’i ofruar vendit moscënimin e fjalës dhe të drejtës e votës.
Blendi Fevziu: Çfarë ke studiuar
Dorina Prethi: Unë kam studiuar drejtësi dhe një nga qëllimet përse kam studiuar drejtësi… kam qenë një nxënëse e shkëlqyer në kimi dhe biologji dhe vendosa krejt papritur të mos e ndjek këtë prirje sepse mendoj që kam patur këtë thirrje që fëmijë. Cilësitë që unë kisha nuk ishin vetëm për mua dhe nuk do të bënin dobi vetëm për familjen që do të krijoja. Doja t’i dedikohesha vendit tim.
Blendi Fevziu: Dëgjo vendit mund t’i dedikohesh edhe nëpërmjet profesioneve të tjera, duket sikur vendin e bëjnë vetëm politikanët.
Dorina Prethi: Absolutisht.
Blendi Fevziu: Çdo njeri që çohet në mëngjes t’i shërbejë edhe familjes së tij i shërben vendit.
Dorina Prethi: Ka qenë vera e 2023 kur unë vendosa t’i bashkohesha forcës politike “Shqipëria Bëhet” sepse edhe pse kam qenë vigjilente për të parë cilës nga forcat mund t’i bashkohesha, çfarë mund të bëja për Shqipërinë në një dimension më të madh se sa në lagjen time, në zonën time dhe profesionin tim dhe ka qenë pamundur për shkak se përshtypja për politikën nuk është thjesht përshtypje, politika ka qenë shumë e pisët në Shqipëri, politika ka qenë që herët e përfshirë në ngjarje kriminale.
Ajo e krahasoi Shqipërinë e ditëve të sotme me kohën e komunizmit kur asnjë qytetar nuk kishte asnjë llojë të drejte. Ajo tha se sot në vendin tonë kemi cënim të votës dhe të drejtës së fjalës.
“Kjo është shtysa që si mundet ne t’i ofrojmë vendit tonë edhe qytetarëve të drejtën e një vote të lirë, si mundet ata të votojnë lirisht dhe të papresinuar”, tha Dorina Prethi.
“Të rinjtë në politikë duhet të jenë bashkë”, Prethi: Marrëveshjet PS-PD s’kanë sjellë dobi
Dorina Prethi, politikania e re nga “Shqipëria Bëhet” shprehet në emisionin “Opinion” në Tv Klan se të rinjtë, përtej qasjeve të ndryshme politike duhet të jenë bashkë. Sipas saj, alternimi i dy partive të mëdha nuk ka sjellë produktivitet për vendin.
Dorina Prethi: Modeli është ai që do të ndërtoj unë, ai është modeli im. Modeli është një ideal që kam në kokë dhe që dua të jetë modeli që dua ta zbatoj. Sa herë shkoj në diasporë, bashkë me ekipin, thërras shqiptarët që të kthehen, shqiptarë të mirë, të arsimuar, të aftë me dëshirën për të investuar në vend. Të njëjtën gjë dua edhe sot. Nuk do të doja kurrsesi që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme politike me të rinjtë që janë sot në panel, ne të kishim këtë armiqësi me njëri-tjetrin. Të rinjtë duhet të jenë bashkë.
Blendi Fevziu: Bashkë do të jenë, por janë në parime ideologjike të ndryshme.
Dorina Prethi: Do të kisha preferuar që të gjithë prej tyre t’i ishin bashkuar një force të re politike. Që nga vitit ’91-97, bëma të jashtëzakonshme i kanë ndodhur popullit shqiptar nga bashkëpunimi PS-PD. në 2008 u ndryshua kushtetua në dëm të qytetarëve shqiptarë nga marrëveshjet PS-PD.
Prethi vijoi duke renditur raste të ndryshme dhe më pas theksoi edhe njëherë idenë kryesore për bashkimin e të rinjve:
“Dy forcat e mëdha politike janë një peshë shumë e rëndë mbi shpatullat e këtyre të rinjve të cilët mund të kenë vetëm arritje në jetën e tyre. Është shumë e rëndësishme sepse ne sot jemi në këtë panel, por nesër do të jemi në qeveri, në opozitë, do të jemi në parlament të gjithë bashkë, është e rëndësishme si të gjejmë mundësitë për të bashkuar aftësitë dhe për t’i riprodhuar për vendin tonë”, përfundoi ajo.
A u larguan përfaqësuesit e SHBA në mbështetje të SPAK? Përgjigjet ambasada amerikane për “Opinion”
“A janë larguar përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un?”
Ka qenë kjo pyetja që stafi i emisionit “Opinion” në Tv Klan i ka drejtuar përmes e-mailit zyrës së marrëdhënieve me publikun të ambasadës amerikane, përgjigjen e të cilën gazetari Blendi Fevziu e ka lexuar në studio.
Blendi Fevziu: Elida Marvataj ka dërguar një e-mail zyrës së marrëdhënieve me publikun të ambasadës amerikane, në të cilën i pyet që pas deklaratave të Kryeministrit se përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un janë larguar, pyetjet kanë qenë:
-A janë larguar ekspertët amerikanë që kanë ardhur në Shqipëri për të mbështetur SPAK-un?
-Nëse po, a lidhet largimi i tyre me vendimin e Presidentit Donald Trump për ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, apo ka një arsye të tretë?
Përgjigjia është: Ju faleminderit për pyetjen. Ju referojmë tek deklarata për shtyp e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit. Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim USAID për shqyrtim. Ai po fillon me rishikim të të gjithë programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën axhendën “Amerika e para”. Presidenti Trump deklaroi se SHBA nuk do të japë më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin ameriakan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort, nuk është thjeshtë gjëja e duhur për t’u bërë, por është një detyrim moral. Mandati i popullit amerikan ishte i qartë, ne duhet të përputhemi me interesat kombëtare amerikane, departamenti dhe USAID marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të Dollarëve të taksapaguesve. Çdo Dollar që shpenzojmë, çdo politikë që ndjekim dhe çdo program që financojmë, duhet të justifikohet me 3 pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurtë? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?
Zyra e marëdhënieve me publikun e ambasadës së SHBA.
Andi Mustafaj: Burgosja e kryetarit të opozitës gjymtoi demokracinë
Burgosja e kryetarit të PD-së Sali Berishës dhe kryetarit të Bashksië së Tiranës ka përplasur të ftuarit në studion e Opinion.
Andi Mustafaj kandidati i PD tha se SPAK ka vepruar në mënyrë të rregullt kur mori vendimin për arrestin në shtëpi të Sali Berishës, por nuk tha të njëjtën gjë për burgosjen e Erion Veliajt.
Andi Mustafaj: Kur burgos kryetarin e opozitës për 383 ditë ai gjymton opozitën dhe në çdo shtet që ne marrim për shembull çdo prokurorët kanë shumë kujdes në përdorimin e paraburgimit sepse nuk prekët vetëm individi Sali Berisha, por preket… quhet teoria “Dy Kapelet” , teoria e dy trupave, që ke trupin fizik dhe trupin që ti përfaqëson. Dhe kur arreston kryetarin e opozitës ti gjymton demokracinë se ai mund të shpallet i pafajshëm. Dhe në qoftë se ne tolerojmë, SPAK-u në këtë rast të vendos kush është kryetar i opozitës shqiptare.
Arsejda Gjyli: Ndërsa kur arreston Kryetarin e Bashkisë së Tiranës…
Andi Mustafaj: Le të përgjigjemi edhe për Bashkinë. Bashkia është një institucion administrativë. Rikthehemi ndarjes së pushteteve, ka aty njerëz që paguhen me rrogë që të shkojnë çdo ditë në punë dhe në qoftë se Kryetari i Bashkisë nuk është në punë. Bashkia ka një funksion hierarkikë komandues me rroga.
Arsejda Gjyli: Kjo e zhbën funksionarin
Andi Mustafaj: Nuk e zhbën, nuk e zhbën..
Arsejda Gjyli: Ai është i votbesuar zotëri
Andi Mustafaj: Kurse arrestimi i kryetarit të opozitës, për shkak se është një grumbullim vullnetarësh dhe për shkak të peshës që ka në demokraci e gjymton gjithë demokracinë sepse pamundëson opozitën.
Dorina Prethi: Po kur opozita heq dorë nga mandatet e saj nuk e gjymton opozitën nën vetvete?
Andi Mustafaj: Ka qenë gabim, është pranuar si gabim
Dorina Prethi: E drejta e protestës është e garantuar, por nuk mund të protestosh përpara organeve të drejtësisë.
Dorina Prethi: I proteston dhe i imponohesh qeverisë me një vendim të caktuar, po ka sens. I imponohesh parlamentit me një miratimin e një ligji ka sens, por nuk mund t’i imponohesh prokurorisë dhe gjykatës sepse ata veprojnë mbi bazën e ligjit material dhe procedurial. Protesta në vetvete nuk mund t’i imponohet sa i takon sistemit të drejtësisë.
/tvklan.al