Seanca plenare e të enjtes i gjeti demokratët në mbledhje grupi, teksa i vetmi në sallë ishte deputeti Andrea Mano që së bashku me socialistin më të ri, Erjon Meka, bënë betimin për t’u ulur në karriget e lëna bosh nga Ervin Salianji dhe Jurgis Cyrbja, të dy të arrestuar.
Menjëhërë pas betimit, i gjithë grupi parlamentar mbërriti në kuvend.
Skenari ishte i njëtë, përplasje në dy fronte.
“Na përjashton vetëm populli e vota, s’na përjashton dot askush pavarësisht dëshirave të narkos apo 5 milionë Eurove të doganave”, tha Flamur Noka.
“Mos u përdorni nga Rama. Diktaturë, turp”, bëri thirrje Asllan Dogjani.
Pavarësisht tentativave të të përjashtuarve, brenda në seancë ia dolën të hynë vetëm deputetët ndaj të cilëve nuk ka asnjë masë ndëshkuese.
I njëjti tension si jashtë shoqëroi edhe seancën, ku demokratët tentuan të bllokojnë foltoren.
“Ju lutem uluni në vendet tuaja dhe lejoni deputeten të vijojë të flasë. Ju lutem mos e kërcënoni deputetin Mano, ju lutem mos i prekni deputetët. Nuk e kupton çfarë po bëni”, deklaroi kryeparlamentarja Spiropali.
Kësaj radhe në mbrojtje demokratëve u erdhi edhe Enkelejd Alibeaj, që u përfshi në replika me kryeparlamentaren Spiropali.
“Gjysma s’është sepse ju para 1 muaji përjashtuat gjysmën e këtij parlamenti. Thirr byronë, hiq ndëshkimin e deputetëve, e ke për detyrim t’u tregosh shqiptarëve që ky është një parlament”.
“Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, përfshi Konferencën e Kryetarëve, Byronë, e jo ti djegim, situata krejtësisht artificiale që burojnë nga problemet që kanë partitë politike”, u kundërpërgjigj kryeparlamentarja Spiropali.
Tensioni në sallë zgjati pak minuta dhe me karrige në dorë demokratët dolën jashtë, aty ku i prisnin këmbëkryq pjesa tjetër e kolegëve.
Gazment Bardhi në kundërpërgjigje të Spiropalit, e akuzoi këtë të fundit si zëdhënëse të krimit.
“Kush e kishte bërë këtë? Pëllumb Gjoka? S’kam qenë në burgun e Fierit që ta takoj, i paska transmetuar një mesazh zonjës, me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar”.
Me largimin e demokratëve nga salla, socialistët vijuan të pashqetësuar seancën ku në replika me deputetët e opozitës për çështjet e mbetjeve toksise u përfshi ministri i Brendshëm dhe Taulant Balla.
“Koha e urdhrave të Prokurorisë që nuk ekzekutohen ka mbaruar dhe shumë drejtues policie janë në SPAK që nuk i kanë zbatuar”, tha ministri Hoxha.
Pas rezitencës disa minutëshe jashtë kuvendit, i gjithë grupi parlamentar u drejtua në Bashkinë e Tiranës, ku vijoi protestën për largimin e kryebashkiakut Veliaj e më pas u rikthye në kuvend.
Teksa vijonin mosbindjen civile, në Kuvend mbërriti edhe ambasadori i Bashkimit Europian, të cilit iu desh të kalonte jo vetëm forcat e shumta policiore të vendosura jashtë kuvendit, por edhe kangjellat e vendosura nga garda.
Pas një takimi të shkurtër me kryeparlamentaren Spiropali të cilës i dorëzoi progres-raportin, diplomati europian sikundër edhe në takimin me Kryeministrin dha të njëjtin mesazh në adresë të opozitës.
“Shpresojmë që opozita të luajë rolin e saj brenda Parlamentit”, tha Gonzato.
Tv Klan