“Si u 7-fishua pasuria e familjes tënde?”, Bardhi e Tabaku i “sulen” Shalsit
Pas fjalës së deputetit socialist Eduard Shalsi në Kuvend, opozita ka vërshuar me akuza ndaj tij. Kreu i grupit të PD Gazment Bardhi i kërkoi llogari për “7-fishimin e pasurisë së familjes së tij”.
“Jep llogari e thuaj si është rritur mirëqenia, kur e ke rrogën 1 milion lekë e gruaja 700 mijë. Mos hajde të bësh këtu teatër me shashka të hedhura në ajër e pa asnjë bazë!”
Edhe deputetja Jorida Tabaku tha se “duhet të kesh kurajo të madhe të gënjesh se shqiptarët janë më mirë sot.”
“Është e vështirë të kthesh një përgjigje intelektuale kur dëgjon një debat të tillë. Ka disa deputetë këtu që bëjnë sikur i dijnë të gjitha. Pensionet në Shqipëri sipas INSTAT kanë qenë në rënie sepse shpenzimet e qeverisë janë rritur, çmimet eushqimeve janë rritur me 55%“, shtoi ajo.
Tabaku: 70% e buxhetit 2023 u zbatua në Dhjetor, them ta mbyllim fare shtetin…
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj qeverisë për keqmenaxhim të buxhetit të shtetit. Bazuar në raportet e KLP-së, ajo tha se 70% e buxhetit të 2023-it është zbatuar në muajin e fundit të vitit.
“30% gjatë vitit. E njëjta gjë ndodh me shpenzimet. Unë them ta mbyllim fare shtetin, në muajin e 12-të pagujmë vetëm fatura. Paaftësia që kanë për të shpenzuar dhe korrupsioni që e shfaqin në Dhjetor”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut, shqetësues është edhe taksimi pa ‘fre’ ndaj bizneseve… Lexo më shumë
Diskutohet buxheti faktik 2023, Gogu: Kemi ekonominë më vibrante në rajon
Seanca në Kuvend vijon prej thuajse 3 orësh, ku po diskutohet buxheti faktik i vitit 2023. Socialisti Toni Gogu theksoi se ky buxhet rezistence në kohë sfidash për vendin dhe jo vetëm, bëri që të rritej ekonomia e njëkohësisht të ulej inflacioni e borxhi.
“Të rritësh me 3.8% si ekonomi ndërkohë që je duke ulur borxhin, unë besoj që këtë çdo familje shqiptare e kupton. Kemi ekonominë më vibrante në Ballkanin Perëndimor dhe që udhëheq ekonominë rajonale për shkak të reformave që ka bërë dhe ruajtjes së stabilitetit makro-ekonomik. Ekonomia është rritur, inflacioni e borxhi janë ulur”, tha Gogu nga foltorja.
Ministri i Financave: Buxheti i vitit 2025, më i madhi ndonjëherë në Shqipëri. Ul borxhin publik në nivele historike
Përgjigja ishte e menjëhershme nga ministri. Ai theksoi se buxheti i vitit 2025 është më i madhi ndonjëherë në Shqipëri.
“Sa i përket buxhetit 2025 është buxheti më i madh që ka njohur ndonjëherë republika e Shqipërisë, është buxheti i cili ka më shumë shpenzime dhe investime kapitale. Është buxheti që ka alokuar më shumë fonde sociale. Po të bëni verifikime dhe në rajon Shqipëria është nga vendet e para që shpenzon më shumë për çështje sociale. Është një buxhet që jo vetëm rrit investimet publike, por ul edhe borxhin publik në nivele historike. Është ulja e borxhit më e madhe”, tha Petrit Malaj.
Fjalën i pari e ka marrë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi që ka pyetur ministrin e Financave, Petrit Malaj në lidhje me fondet e parashikuara për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Ju miratuat një fond paraprak në vitin 2024 dhe në rishikimin që i bëtë buxhetit i dhatë MIE që drejtohet nga Balluku plus 260 mln Euro për tre rrugë. Pasi po i kishit dhënë po kaq para disa muajsh i shtuat edhe 260 milionë euro. Si ka mundësi gjeni para por jo të rrisni ndihmën ekonomike të qytetarëve në nevojë?”, tha ndër të tjera Bardhi.
Duket se në tashmë debatet për procedurë u lanë pas dhe ka nisur diskutimi për buxhetin faktik të vitit 2023.
Noka: Jemi këtu për të mbrojtur tempullin e demokracisë
Tashmë në këtë moment fjalën e mori Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Ai tha se opozita ndodhet në parlament për të mbrojtur tempullin e demokracisë.
Hodhi akuza ndaj mazhorancës se përfaqësojnë krimin e organizuar dhe se “për shpirt doni monizëm”.
“Ne jemi këtu për ta mbrojtur këtë tempull të demokracisë nga përdhunimi që i keni bërë ju. E keni kthyer në noter të vjedhjeve”, tha Noka.
Seanca përmes fotove: Sula tund prangat, Nallbati kap karrigen dhe…
Që në nisje të seancës plenare plasën debatet mes palëve politike. “Të dalë Garda!”, ishte kërkesa e parë e demokratëve. Më pas, kreu i grupit të PD Gazment Bardhi kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentares Elisa Spiropali e Klotilda Bushkës. Deputeti Sula përpos bluzës me mesazh, kishte marrë dhe pranga me vete, të cilat në një moment ia tundi kryetares së Kuvendit. Noka hodhi “kunja” ndaj Spiropalit e socialistëve iu tha se “janë si miza“. Nallbati demonstroi karrigen e vjetër për të cilën thotë se ka paguar 2 milion lekë.. Tone të ashpra replike pati dhe në krahun mazhoritar. Krejtësisht të qetë nga opozitarët sot në sallë, ishin Lulzim Basha, Enkeled Alibeaj dhe Flutura Açka.
Balla kërkon të vijojë debati për buxhetin
Që prej momentit që ka nisur seanca parlamentare ka pasur debate në lidhje me vendimin e Gjykatës Administrative për rikthimin e deputetëve të opozitës në parlament pas përjashtimit nga Sekretariati i Etikës.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në këto momente i ka kërkuar kolegëve të tij opozitarë që të vazhdojnë të diskutojnë për buxhetin faktik.
“Kanë kaluar 90 minuta nga fillimi i seancës. Të fokusohemi tek çështja. U ngrit nga ana juaj një çështje procedurale për të qenë në rregull me rregulloren sa i përket një vendimit të një Gjykate Administrative i cili është një vendim i ekzekutueshëm i përkohshëm i cili do të vijojë të gjykohet edhe në instanca të tjera gjyqësore, minimalisht. Jemi në një situatë që mendoj i bën mirë kuvendit që deputetët e opozitës janë ulur në sallë. Kemi në vlerësimin tim edhe për shkak të eksperiencës, diskutojmë buxhetin faktik të vitit 2023. Dy gjëra ka Kuvendi që janë gjëra të natyrës së pastër politike, kur votohet përbërja e qeverisë dhe kur miratohet buxheti. Mundësia më e artë e opozitës është kur diskutohet buxheti për të dhënë pikëpamjet e veta”, tha Balla.
Ministri Hoxha sqaron deputetin Shehaj për mbetjet e rrezikshme në Durrës
Në lidhje me kërkesën e deputetit Shehaj reagoi ministri Ervin Hoxha i cili e sqaroi për situatën me mbetjet e rrezikshme.
“Në lidhje me informacionin që kërkuat Prokuroria Durrës ka bërë një njoftim publik në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Agjencinë Doganore dhe autoritetet portuale po ekzekuton urdhrin dhe vendimin e marrë nga kjo prokurori. Shumë shpejt kontejnerët duhet të zbresin në një hapësirë publike e cila po krijon kushtet dhe mundësinë sipas kapaciteteve dhe infrastrukturën për çështjet e sigurisë në ambientet e Durrësit”, tha Hoxha.