Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetari Ardi Pulaj:- Sot në një artikull të botuar në një prej gazetave më të mëdha amerikane “The Boston Globe”, kryeministri Nano, ka shprehur mbështetjen totale për luftën eventuale të SHBA ndaj Sadam Hyseinit. Zoti Nano gjendet sot në aeroplanmbajtësen amerikane Washington, e cila ndodhet në ujërat tona territoriale. Ndërkohë që ne kemi të ftuar sot, në studion e lajmeve të TV Klan, Ministrin shqiptar të Mbrojtjes Pandeli Majko, i cili sapo është kthyer nga konferenca për sigurinë, e zhvilluar në Mynih të Gjermanisë. Zoti Majko mirëmbrëma. Fillimisht pse kjo mbështetje e plotë e qeverisë shqiptare ndaj një sulmi eventual, në një kohë që kemi një koalicion perëndimor më të përçarë se kurrë?

Pandeli Majko:- “Dëshiroj të theksojë faktin, që ky është një debat, i cili u vlerësua dhe në Konferencën e Myhniut, si pjesë normale e diskutimeve para vendimmarrjes së fundit. Megjithatë, le të themi, vendimi i qartë i qeverisë shqiptare, i shprehur edhe nga presidenti i vendit edhe nga kryeministri, por edhe nga politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, ka të bëjë me një fakt i cili tanimë vjen nga një shkollë e shumë provuar, sidomos pas viteve ’90, për qëndrimin e Shqipërisë, i cili më së shumti u vlerësua dhe në pikëpamje praktike, me atë çfarë ndodhi gjatë luftës së Kosovës. Kur normalisht shkolla e diplomacisë shqiptare orientoi balancat të paktën për këtë shekull, që ne sapo kemi hyrë. Kështu që qëndrimi pro politikës amerikane, ka të bëjë me evidentimin e faktit që faktori shqiptar për një varg hapash që ka hedhur për forcimin e vetë, pas regjimit komunist, ka të bëjë direkt me mbështetjen që politika e SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe faktorit shqiptar. Kështu që po ta shikosh në planin më të gjerë, pavarësisht se kemi një lloj ndarje, e cila nuk mund të fshihet, mund të vihet re qartazi, që aleatët kryesor të Shqipërisë, të skakierës ku luan faktori shqiptar, siç është SHBA, Italia, po ashtu dhe Turqia, ndodhen në një pozitë mjaft të qartë përsa i përket problemit apo çështjes së Irakut. Kështu që nuk mendoj se përbën ndonjë çudi qëndrimi i Shqipërisë”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Zoti Majko, ju sapo jeni kthyer nga Mynihu, a dalluan këto të çara në këtë takim?

Pandeli Majko:- “Tani, dua ta shpjegoj pak qartazi, por duke bërë edhe një paralele historike, që besoj që është pak e njohur për vendin tonë. Konferenca e Mynihut nuk duhet trajtuar si mbledhja e 81 partive, ku ndodhi një çarje e pariparueshme, aty ishte një debat, i cili ka ekzistuar edhe më parë, por këtë radhë ishte edhe më transparent sesa herët e tjera. Shumë nga folësit në Mynih, por qoftë publikisht, qoftë jo publikisht thoshin, që është një nga konferencat m të rëndësishme në gjirin e NATO-s, para vendimmarrjeve të mëdha dhe konferenca e Mynihut shpesh është mbajtur në një gjendje shumë konfidenciale, në konceptin e kushteve të luftës së ftohtë. Tani më ajo bëhet më publike, diskutimet janë më të hapura, por dëshiroj të them, që këto që ndodhin nuk mund të quhen as gjëra krejtësisht të reja, në kuptimin e asaj që ne e quajmë çarje apo debat”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Zoti Majko, a ka një kosto mbështetja që Shqipëria i jep kësaj lufte? Flas këtu si në planin politik, ashtu dhe atë financiar.

Pandeli Majko:- “Ne sigurisht do të ofrojmë pa diskutim ndihmën tonë, nëse ajo do të kërkohet dhe kjo është thënë qartazi nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve tona, ku më në veçanti, dua të theksojë deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, drejtuar presidentit Bush. Po ashtu dhe në takimin që pata me sekretarin Ramsfeld, unë përsërita pikërisht këtë qëndrim të qeverisë shqiptare, që ne jemi në pritje të kërkesës zyrtare nga SHBA dhe do t’i gjendemi në krah asaj. Mos harrojmë, që kjo është një kërkesë që na bëhet nga një vend, i cili dërgoi qindra kilometra larg SHBA, ushtarë për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të ruajtur stabilitetin e Shqipërisë dhe sovranitetin e saj. Pra nga kjo pikëpamje mendoj që qëndrimi është më se i qartë, sigurisht do të ketë disa kosto, por unë jam i bindur që ato do t’i përballojmë”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Dhe një pyetje. A do të çojë Shqipëria ushtarë nëse do të jetë e nevojshme?

Pandeli Majko:- “Nëse do të kërkohet, Po”./tvklan.al

Gazetar – Ardi Pulaj