Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Parlamenti ka debatuar për shpërndarjen e parave që i shtohen buxhetit të shtetit falë shitjes së Bankës së Kursimeve. Nga 13 miliard lekë 50% qeveria ia kalon deficitit buxhetor ndërsa 6.5 miliard lekë investohen në arsim, shëndetësi, rrugë, transport, turizëm dhe sistemin ujësjellës-kanalizimeve.

Por shpërndarja e fondeve sipas zonave elektorale ka ngjallur debat, për opozitën është zbatuar harta politike e mazhorancës edhe pse Ministri i Financave e mohoi një gjë të tillë.

Azgan Haklaj: “T’u shtrojmë dhe ne një pyetje, a i keni ndarë mirë në grupin tuaj këto para për fushatë elektorale?

Megjithatë me para nuk blihet vota”.

Limoz Dizdari: “Dhe këtu nuk është çështja e mungesës së një rruge, por me duket se kjo lidhet me një lloj mungese të një respekti, ndaj një komuniteti”.

Arben Malaj: “Nëse ka probleme për të diskutuar në fondet shtesë që për Ministrinë e Arsimit janë në shifër të konsiderueshme, kjo nuk pengohet nga momenti i diskutimit të buxhetit apo të miratimit të tij”.

Në emër të grupit parlamentar Ridvan Bode deklaroi, se PD do të votojë kundër projektligjit për shtesat në buxhetin e shtetit.

Ridva Bode: “Kërkoni të lyeni me asfalt të zi disa rrugë për t’ju kërkuar edhe njëherë votën e çmuar shqiptarëve dhe po bëni për të disatën herë Kolombin këtu në parlament, nëse jeni të vendosur realisht për të përdorur, për të bërë rrush e kumbulla edhe paratë e Bankës së Kursimit, të paktën shpërndani disa rrush e disa kumbulla edhe në ato zona që nuk janë tuajat”.

Parlamenti ka miratuar ndryshimet në ligjin për policinë e shtetit, ku parashikohen kalimi i varësisë së strukturës policore në Ministrinë e Rendit Publik./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj